Markata e peshkut në Shëngjin, dikur një depo e rrënuar tani në dispozicion të peshkatarëve dhe tregtarëve

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Markata e peshkut në Shëngjin është e para e këtij lloji e ndërtuar në Shqipëri në dispozcion të peshkatarëve dhe tregtarëve, me një investim prej 59 milionë lekësh financim i buxhetit të shtetit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga transformimi i kësaj markate.

“Mirëmëngjes dhe me transformimin e markatës së peshkut në Shëngjin, dikur një depo e rrënuar tani një investim i qeverisë shqiptare, i cili nuk është i vetmi pasi shpejt do të shohim markatën e Vlorës, Durrësit e Sarandës, në dispozicion të peshkatarëve dhe tregtarëve, ju uroj një ditë të mbarë”, – tha Rama.

Kjo markatë ka 6 dhoma frigoriferike me sipërfaqe 30 m2 secila, zyra për subjektet dhe administratën, magazinë dhe makineri për prodhimin e akullit. Ky investim sjell liberalizim të tregut, uljen e kostove dhe rritje të cilësisë. Peshku në këtë markatë do të kalojë në procedura ankandi, ku marrin pjesë tregtarë të mëdhenj e të vegjël.

Më anë të këtij investimi qeveria shqiptare synon përmirësimin e cilësisë dhe formalizimin e sektorit të peshkimit .

Kjo markatë është e ngjashme me ato të shumë vendeve të tjera të Mesdheut. Çdo gjë me infrastrukturën e plotë dhe pajisjet e duhura. /k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.