Lezhë, 51 300 metra linearë kanale kulluese dhe vaditëse u pastruan në janar-gusht të këtij viti

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Drejtoria e Bujqësisë në bashkinë Lezhë, po punon me ritme të larta për pastrimin e kanaleve të dyta dhe të treta kulluese dhe vaditëse.

“Gjatë 8-mujorit të parë të vitit 2020, megjithëse në kushte shumë të vështira të krijuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19, kemi arritur të pastrojmë 51300 metra linearë, një shifër e tillë nuk është arritur ndonjëherë”, bëri të ditur sot bashkia e Lezhës.

Sipas saj, duke e krahasuar me vitin e kaluar është dyfishuar volumi i punës si rezultat i punës së pareshtur të specialistëve dhe vëmendjes së veçantë që i është kushtuar nga kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.

Bashkia shprehet se “një ndihmesë të veçantë ka dhënë edhe Qeveria shqiptare, e cila mundësoi blerjen e dy eskavatorëve dhe miratimin e projektit të Rehabilitimit të 3.6 km kanale vaditëse në njësitë administrative Blinisht dhe Dajç, një investim me vlerë 46 milionë lekë”.

Firmat tenderuese po fillojnë punimet, të cilat priten të përfundojnë përpara sezonit të vitit të ardhshëm, duke mbuluar një sipërfaqe prej 1800 ha.

“Megjithë punën e bërë, kërkesat nga fermerët dhe Njësitë Administrative janë të mëdha, por është operuar në zonat me risk të lartë përmbytjeje. Një vështirësi që hasim, është lëvizja e mjeteve për shkak të mbjelljeve dhe ndërtimeve pa leje. Për këtë kërkohet një mirëkuptim nga banorët që të na ndihmojnë në procesin e shmangies së përmbytjeve të tokave prodhuese”, – thekson bashkia duke shtuar se deri më tani është punuar një njësitë administrative Dajç, Blinisht, Zejmen, Shëngjin dhe Kolsh.

Bashkia e Lezhës tha se “së shpejti, do të vazhdojmë me njësitë administrative Shënkoll dhe Balldre”. /k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.