TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Biblioteka Kombëtare, për herë të parë ekspozon ekzemplarë të rrallë të teksteve që mbajnë për autorë emra të mëdhenj të letrave shqipe, duke nisur me Veqilharxhin, e vazhdojnë me Kristoforidhin, Kulluriotin, Sami Frashërin, De Radën, Ndre Mjedën, Parashqevi Qiriazin e deri te Aleksandër Xhuvani.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti theksoi rëndësinë e letrave të autorëve të mëdhenj për brezin e ri në vendin tonë.
“Është e rëndësishme që brezat e rinj ta dinë se gjuha nuk është një e dhënë e përjetshme, se pak më shumë se një shekull më parë, shqiptarët e kishin të ndaluar të lëvronin gjuhën e tyre, se është derdhur gjak për t’i mbrojtur ato shkronja. Kjo ekspozitë është edhe një thirrje për ta dashur dhe ruajtur gjuhën shqipe”, u shpreh Margariti.
Sipas saj, çelja e ekspozitës nuk është rastësore.
“Hapja e saj nuk ndodh rastësisht tani. Ajo lidhet jo vetëm me hapjen e vitit të ri akademik, por edhe me muajin e trashëgimisë kulturore, sepse këto abetare janë pjesë e saj. Gjuha është trashëgimi dhe ne duhet ta përcjellim brez pas brezi”, theksoi Margariti.
z.tosku/j.p/r.e/