Bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë/ Meta letër KED dhe KLGJ: Nuk po ecën me ritmet e kërkuara

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përcjellë sot pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe Avokatit të Popullit, qëndrimin zyrtar “Mbi vonesat dhe problematikat në ripërtëritjen dhe bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë”.

Në këtë letër Presidenti Meta ka evindentuar problematikat, anomalitë dhe vonesat e pajustifikuara, duke kërkuar njëkohësisht zbatimin e Kushtetutës dhe të Ligjit, si dhe marrjen e masave emergjente për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

“Presidenti i Republikës, ka ndjekur me vëmendje të gjithë veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në vitet 2019-2020, dhe nëpërmjet kësaj shkrese dëshiron të adresojë sërish përpara KED-së dhe në vëmendje e për dijeni të të gjitha institucioneve të përfshira, mbi problematikën dhe vonesat e krijuara në plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Veprimtaria e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për fat të keq, nuk po ecën me ritmet e kërkuara duke sjellë të tjera vonesa të pajustifikuara në procesin e ringritjes dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në letrën e Presidentit.

“Presidenti i Republikës në mënyrë të përsëritur si publikisht, ashtu dhe në formë shkresore, i është drejtuar si Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ashtu dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor në lidhje me problematikat e konstatuara.  Edhe pse ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese është një nga 15 kushtet e Bashkimit Evropian për nisjen e procesit të negociatave të anëtarësimit dhe nevojë jetike për Shqipërinë, sërish duket se kjo nuk është kuptuar drejtë, për sa kohë kjo çështje ngjan se nuk ka marrë vëmendjen e duhur si prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ashtu dhe prej Këshillit të Lartë Gjyqësor”, shkruan Presidenti.

Ai ka risjellë  në vëmendje të KED-së shkresat e përsëritura të Institucionit të Presidentit të Republikës drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

“Në të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës, qoftë edhe atyre të shprehura publikisht përmes përfaqësuesve të autorizuar prej tij në mbledhjet e KED-së, po ashtu nëpërmjet shkresave të sipërcituara drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i është përsëritur thirrja e përhershme që të angazhohet për të vijuar veprimtarinë e pandërprerë për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese në procesin e plotësimit dhe bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të plotë, brenda një kohë sa më të shkurtër. Mosfunksionimi i KED 2017 dhe KED 2018, dhe problematika që shfaqi KED 2019 janë analizuar dhe trajtuar tashmë në Opinionin e Komisionit të Venecias për Shqipërinë, së bashku me pasojat që kanë sjellë për sistemin e drejtësisë, por për fat të keq, edhe pse Komisioni i Venecia vërtetoi se ky organ (KED-ja) përgjatë vitit 2019 shfaqi problematika të rënda në funksionimin e tij, sërish edhe përgjatë vitit 2020, veprimtaria e tij nuk ka ecur në ritmin e kërkuar”, thekson Presidenti.

Për më tepër, shton ai, “së fundmi KED-ja ka shfaqur disa problematika, të cilat mbartin me vete rrezikun që të vonojnë dhe/apo të cenojnë produktin e tij. Ndërkohë që, përballë situatës faktike në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë përgjatë gjithë kësaj periudhe, përveç kërkesave zyrtare në adresë të KED-së, Presidenti i Republikës që prej qershorit 2019 me shkresat me ka mbajtur gjithashtu një komunikim të vazhduar me Këshillin e Lartë Gjyqësor, sa i takon çështjes së përfundimit të procedurave për propozimin e kandidaturave për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë”.

“Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion përmes këtyre shkresave zyrtare, duke shprehur shqetësimet për gjendjen dhe vonesat e procedurave të plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë si dhe duke kërkuar njëkohësisht marrjen e masave prej këtij organi për shqyrtimin dhe propozimin sa më parë të kandidaturave për plotësimin e të gjitha vakancave në këtë gjykatë. Përveç të tjerave, Presidenti i Republikës i ka ofruar KLGJ-së përmes këtyre shkresave mbështetje institucionale për çdo nevojë apo kërkesë që mund të kishte. Edhe pse angazhimi dhe kërkesat nga Presidenti i Republikës kanë qenë të përsëritura në mënyrë të vazhduar, sërish situata mbetet në të njëjtin stad të pajustifikuar, pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor edhe pse po mbush dy vite nga konstituimi i tij, deri më tani ka propozuar për emërim në Gjykatën e Lartë vetëm 3 (tre) kandidatë nga radhët e juristëve të spikatur në datën 5 mars 2020, të cilët u emëruan menjëherë nga Presidenti i Republikës në datën 10 mars 2020”, shkruan Meta.

Ndërkohë, vijon ai, “që KLGJ-ja ende nuk ka përfunduar procedurat e verifikimit dhe vlerësimit për plotësimin e 15 anëtarëve të tjerë të kësaj gjykate ku përfshihet dhe pozicioni i katërt në Gjykatën e Lartë, që duhet të plotësohej nga radhët e juristëve të spikatur.  Edhe pse kjo procedurë ka filluar nga KLGJ-ja përpara 1 (një) viti deri më tani kjo procedurë nuk ka përfunduar dhe asnjë shkak apo arsye nuk është dhënë përse po mbahet peng plotësimi i vendit të katërt në Gjykatën e Lartë, që duhet të plotësohet nga radhët e juristëve të spikatur”.

“Plotësimi i të gjitha vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, është thelbësore dhe për funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese, pasi në cilësinë e organit të emërtesës Gjykata e Lartë do të duhet të shprehet për emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata e Lartë nuk është funksionale sipas ligjit, rrjedhimisht bllokohet dhe emërimi i tre anëtarëve të tjerë në Gjykatën Kushtetuese, duke sjellë sërish pengesë në funksionimin e plotë të kësaj të fundit”, nënvizon Meta.

Meta thekson se, “përveç faktit që copëzimi i shqyrtimit të kandidatëve për njërën prej vakancave është një veprim që nuk gjen asnjë mbështetje ligjore, shqetësues është gjithashtu fakti për të cilin jam informuar se, në mbledhjen e KED-së të datës 21 gusht 2020, pasi përfaqësuesi i Presidentit të Republikës është larguar dhe KED do të duhej të vijonte mbledhjen për diskutime me prezencën e vetëm të anëtarëve dhe të Avokatit të Popullit, anëtarët e KED-së kanë filluar një diskutim dhe në përfundim i kanë kërkuar përfaqësuesit të Avokatit të Popullit që të dalë nga mbledhja, me argumentin se mbledhjen lejohet ta ndjekë vetëm Avokati i Popullit personalisht dhe jo përfaqësuesit e tij”.

“Një veprim i tillë jo vetëm është një hap pas në transparencën e veprimtarisë së KED-së, por bie ndesh me të drejtën kushtetuese dhe ligjore që ka Institucioni i Avokatit të Popullit për të vëzhguar dhe për të qenë prezent përgjatë gjithë procesit. Kjo është dhe një ndër çështjet për të cilat u shpreh posaçërisht dhe Komisioni i Venecias në Opinionin për Shqipërinë “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, nënvizon Meta.

“Në një situatë të tillë, Presidenti i Republikës vlerëson se është e nevojshme t’i kërkojë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ndreqjen e të gjitha problematikave si më sipër. Procesi i shqyrtimit të kandidaturave për këto tre vende vakante (2 (dy) të Presidentit dhe 1 (një) të Kuvendit) që aktualisht ndodhen në proces verifikimi nga KED-ja që prej vitit të kaluar (2019), është e nevojshme të përmbyllet sa më parë, në mënyrë që organet e emërtesës të ndjekin më pas procedurat e tyre sipas Kushtetutës dhe Ligjit për emërimin/zgjedhjen e kandidatëve. Në këto kushte, KED-së i kërkohet të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë dhe pa u ndikuar nga aktorë të ndryshëm, me qëllim përfundimin e të gjitha procedurave brenda muajit shtator 2020, për të tre vendet vakante që i përkasin Presidentit dhe Kuvendit, duke shmangur çdo vendimmarrje antikushtetuese që do të impononte reagim dhe do të shkaktonte pasoja të pandreqshme ndaj këtij procesi jetik për vendin”, përfundon Meta.

/gj.mima//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.