STUDIM – COVID-19 do të bëhet grip sezonal

ROMË, 15 shtator /ATSH-ANSA/ – SARS-CoV-2 do të bëhet një virus sezonal, ashtu si edhe koronavirusët e tjerë, por vetëm kur të arrihet imuniteti i tufës, sipas një studimi të kryer nga Universiteti Amerikan në Bejrut, i botuar në revistën “Frontiers in Public Health”.

Ky përfundim bazohet në krahasimin midis të dhënave që lidhen me viruset e tjera sezonale të frymëmarrjes (nga gripi te disa koronavirusë të tjerë) dhe njohurive më të fundit në dispozicion në lidhje me SARS-CoV-2 .

“Koronavirusi i ri ka ende një indeks transmetimi shumë të lartë, që lidhet me faktin se deri më sot vetëm një pjesë e vogël e popullatës e ka hasur atë dhe ka zhvilluar antitrupa dhe, derisa ky indeks të bjerë, virusi do të vazhdojë të qarkullojë gjatë gjithë vitit me shumë efikasitet”, thanë ekspertët libanezë.

“SARS-CoV-2 është këtu për të qëndruar dhe do të vazhdojë të shkaktojë valë të reja gjatë gjithë vitit, derisa të arrihet imuniteti i tufës”, shpjegon Hassan Zaraket.

Sipas tij, imuniteti kolektiv i shpresuar nuk do të vijë shpejt dhe botës mund t’i duhet të durojë valë të shumta të COVID-19, që do të thotë se do të na duhet të mësojmë të jetojmë me të dhe të vazhdojmë të praktikojmë masat më të mira parandaluese, nga përdorimi i maskës te distancimi fizik, nga higjiena e duarve deri te shmangia e tubimeve./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.