Shqiponja e malit ulet në tokë, viziton stacionin suplementar në Kurvelesh

TIRANË, 15 shtator /ATSH – I. Vata/ Shqiponja e malit, ky shpend i mahnitshëm, ulet në tokë dhe viziton stacionin suplementar në Kurvelesh.

Lajmin e bëri të ditur Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri që monitoron stacionin e shpendëve të egër në Kurvelesh.

I ndërtuar si një masë e drejtpërdrejtë konservuese ndaj helmimit të popullatës së kalit të qyqes, stacioni suplementar në Kurvelesh ka tërhequr dhjetëra shpendë të tjerë, duke përfshirë edhe mbretëreshën e qiejve, simbolin tonë kombëtar, shqiponjën e malit (Aquila chrysaetos).

“Ky shpend i mahnitshëm, me një gjatësi të hapjes së krahëve prej 190 – 225 cm, përbën një siluetë gjithnjë e më të rrallë në qiellin e Shqipërisë. Për këtë arsye, sa herë që ky lloj viziton stacionet tona, nuk mundemi të mos shfaqim gëzim”, shprehen specialistët e shoqatës.

“Shqiponja e malit është vizitori i dytë më i shpeshtë i stacionit tonë në rajonin e Kurveleshit. Ashtu si kali i qyqes edhe ky lloj rrezikohet nga kurthet e helmatisura”, njoftoi Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.