Rindërtimi pas tërmetit, impuls pozitiv që ekonomia t’i rikthehet ritmeve normale

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici deklaroi sot se rindërtimi pas tërmetit është një impuls për rritjen ekonomike, për shtimin e konsumit dhe impuls pozitiv që ekonomia t’i rikthehet ritmeve normale.

“Është një sinjal pozitiv, së pari nga pikëpamja sociale dhe njerëzore, sepse nuk është thjeshtë e vetëm një sektor i ekonomisë i dëmtuar, por është jeta e shumë familjeve shqiptare që kërkojnë t’i kthehen normalitetit. Nga pikëpamja ekonomike, nëse aktivitete të tilla si ndërtimi, qoftë i banesave, qoftë i ndërtesave të shërbimit, apo infrastrukturës e shumë elementëve të kësaj natyre, është një impuls për rritjen ekonomike, për shtimin e konsumit dhe impuls pozitiv që ekonomia t’i rikthehet ritmeve normale, sidomos në sektorë që lidhen me procesin e rindërtimit ti rikthehen rimeve të tyre të punës”, deklaroi Civici i ftuar në një nga studiot televizive këtë mbrëmje.

Sipas Civicit, kur disa sektorë i rikthehen ritmeve të punës së tyre normale kjo ndikon edhe në sektorë të tjerë të lidhur me to.

“Nga një studim që është bërë rezulton që me sektorin e ndërtimit janë të lidhur edhe të paktën 60 aktivitete edhe sektorë të tjerë dhe nëse ky proces ecën me ritme të larta në këtë periudhë post pandemie mund të shikohet si element pozitiv për të rikthyer rritjen ekonomike dhe intensitetin e dinamikën e ekonomisë shqiptare në përgjithësi”, tha Civici. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.