Reshat Arbana 80 vjeç/ Margariti: Mjeshtër i aktrimit që na sfidon në çdo dalje në skenë

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, uroi sot aktorin e njohur Reshat Arbana në 80-vjetorin e lindjes.

“Do të ishte shumë pak nëse Reshat Arbanën do ta quanim thjesht një aktor. Reshat Arbana është një mjeshtër i aktrimit, që na sfidon në çdo dalje skenike; një shkollë e gjallë për çdo të ri; zëri kumbues që të ngre peshë! Edhe 100 vite të tjera Reshat Arbana!”, shprehet Margariti.

Reshat Arbana lindi në Tiranë, më 15 shtator. Ai është një aktor teatri dhe filmi. Një nga aktorët më popullorë të kinemasë shqiptare, me mbi 35 role, duke filluar që nga viti 1963. Pasi i kreu studimet në shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu”, pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë, më 1968, filloi punë në Radio Tirana. Nga viti 1977 e deri sa doli në pension ishte aktor i Teatrit Kombëtar të Tiranës. Ndër rolet më të spikatura në film: Samiu tek “Fije që priten” në 1976, Prefekti tek “Gjeneral Gramafonio” 1978, Bimbashi tek “Liri a vdekje” 1979, Isa Boletini tek “Nëntori i dytë” në 1982, Ahmeti tek “Dora e ngrohtë” 1983, Adnani tek “Hije që mbeten pas” 1985, Aliu tek “Binarët” 1987, Emili tek “Rikonstruksioni” 1988, Kuke Memini tek “Balada e Kurbinit 1990. Për rolet e Dajlan Beut tek “Kush vdes ne këmbë” në 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek “Kur hapen dyert e jetës”, 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987. Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e protagonistit në dramën “Streha e të harruarve”.

Më 7 tetor 2011 Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi zotit Reshat Arbana urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare.”

Më 26 nëntor 2011 në koncertin “Nëntori II” organizuar në kuadrin e javës së kulturës shqiptare me rastin e 99-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Shoqata shqiptare në Parma të Italisë “Scanderbeg” i dorëzoi çmimin “Skënderbeu – Diaspora shqiptare në Itali” zotit Reshat Arbana të akorduar në emër të 24 shoqatave dhe subjekteve në Itali me motivacionin: Për personalitetin e jashtëzakonshëm, cilësinë artistike dhe frymëzimin me të cilin ka interpretuar role, histori, ngjarje, duke i pasuruar me humanizmin dhe kulturën që e karakterizon përherë. Çmimi iu dorëzua nga përgjegjësi i organizimit të shoqatës “Scanderbeg Parma” Durim Lika./k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.