PD publikon denoncimin e tre vëllezërve Llaçi në Kombinat

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Partia Demokratike ka publikuar sot rastin e tre vëllezërve Llaçi në Kombinat, banesa e të cilëve u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit dhe tashmë jetojnë 3 familje në një shtëpi dhe marrin vetëm një bonus qiraje.

Pallati ku banonin Gesian Llaçi, bashkë me dy vëllezërit dhe familjet e tyre, ka pësuar dëmtime serioze dhe është klasifikuar DS4 nga komisioni i vlerësimit.

Si të gjitha familjet e tjera, ata u detyruan të shpërnguleshin në shtëpi me qira, ku shteti iu dha vetëm 1 bonus qiraje, që nuk u shërben për asgjë.

Gjatë bisedës me zëdhënësen e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, Gesian Llaçi thotë se për të paguar qiranë e shtëpisë detyrohet të shtojë lekë nga xhepi, si dhe duhet të mendojë edhe për pagesën e ujit, dritave dhe taksave për shtëpinë e shkatërruar, e pabanueshme momentalisht.

Ai shprehet se ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse se çfarë do të bëhet me pallatin e tyre, si dhe shumë familje të tjera janë detyruar të kthehen në shtëpitë e dëmtuara në këtë lagje.

/gj.mima//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.