“Marrim mandatin e tretë”/ Nikolla: Investimet në qarkun Lezhë si kurrë më parë në këto 30 vite

TIRANË, 15 shtator /ATSH – I. Vata/ Drejtuesja politike e PS-së në qarkun e Lezhës, Lindita Nikolla tha sot se në Lezhë do fitohen më shumë se 3 mandate në zgjedhjet e 25 prillit.

Në lidhje me rikthimin e figurave politike të PS-së, në një intervistë televizive, Nikolla tha se “nuk ka ikje dhe rikthime”. “Ne kemi qenë aty, jemi sërish anëtarë të Kryesisë së PS, jemi anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Unë u largova nga qarku Lezhë për të marrë një detyrë si sekretare e burimeve njerëzore. Drejtuesi i skuadrës ka të gjithë të drejtën besoj në çdo forcë politike, kështu funksionon që në momente të caktuara të bëjë një rishpërndarje të gjitha forcave të energjisë për të krijuar sienergjinë”, u shpreh Nikolla.

Në lidhje me emërimin si drejtuese politike në qarkun e Lezhës, Nikolla tha se kur u përcaktua riorganizimi i strukturës organizative u përcaktuan dhe ndryshimet që lidheshin me Lezhën, me Shkodrën me Durrësin.

“Unë kam drejtuar në 2017 si drejtuese politike qarkun Lezhë, duke e nxjerrë PS-në bashkë me skuadrën, forcën e parë politike atje për herë të parë, duke marrë edhe një mandat më shumë. Patjetër largimi nga detyra e ministres më krijoi edhe më shumë mundësi që të jem edhe më prezente në territor. Kam qenë vijimësisht prezente në territor edhe për shkak se në  2017 kam kërkuar votën në të gjithë zonën, shtuar faktin se qarku Lezhë ishte qarku më i prekur nga tërmeti dhe kemi qenë prezent në komunikimin me komunitetin e Lezhës”, tha ajo.

Në lidhje me mandatin e tretë dhe objektivat elektorale në Lezhë, Nikolla tha se “në qoftë se i referohesh gjithë historikut të zgjedhjeve në këto vite të demokracisë, asnjë qeveri nuk ka marrë 3 mandate, por ky nuk përbën një rregull absolut që duhet të jetë kështu”.

“Nuk ka forcë politike që pasi mbaron dy mandate qeverisëse thotë që nuk jam gati për të  qeverisur për një mandat të tretë apo të katërt. Këto janë ambicie normale të çdo force politike”, u shpreh Nikolla.

Në lidhje me mandatet e pritshme në Lezhë, Nikolla tha se “patjetër, nuk do të biem nën tre mandatet që kemi fituar në 2017″.

“Ambicia jonë është për të ecur dhe për të marrë më shumë duke patur parasysh se në zgjedhjet e fundit vërtet dolëm me tre mandate, por kemi rezervë në avantazh 3000 vota si forcë politike. Po punojmë fort. Fakt është se të tre bashkitë drejtohen nga përfaqësues të PS-së të cilët kanë bërë dhe po bëjnë një punë të mirë. Kemi bashkinë Lezhë që po punon shumë mirë. Sa kohë që kryetarët tanë të bashkive rezultojnë që ecin në këto shina, punojnë edhe në kuptimin politik të forcës politike të PS-së”, u shpreh Nikolla.

“Është shumë e thjeshtë, ne po bëjmë një punë të  strukturuar organizative në çdo qendër dhe ne kemi marrë rezultate historike. Ne po ndërtojmë punën me strukturat e PS-së që ka të bëjë me komunikimin, jo thjesht se sa kanë punuar bashkitë, por me investime që ka bërë qeveria në qarkun Lezhë dhe kanë qenë sikur kurrë më parë në këto 30 vite. Kemi rezultatet në sektorë të caktuar, arritjet me programin e rindërtimit. Janë mijëra familje që po përfitojnë nga fondi i Rindërtimit. Sigurisht ky është një proces, nuk kemi rezultate të prekshme në këtë moment por është në dinamikë. Organizimi është një sfidë organizative, një sfidë fryme, programi. Lidershipi të cilin ne po e programojmë dhe po e qasim çdo ditë për të maksimizuar votën e besimit ndaj PS-së dhe mandatin e 3-të”, tha Nikolla. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.