“Kriminaliteti në rënie të vazhdueshme”/ Lleshaj: Plotësisht i angazhuar, në punën time mundohem të mos kthehem mbrapa

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se numri i vrasjeve në vend ka ardhur në rënie të vazhdueshme, falë punës së bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe se përqindja e zbulueshmërisë së ngjarjeve të rënda kriminale ka qenë jashtëzakonisht shumë e lartë.

“Nëse në vitin 2012 kishim 125 vrasje në vit, në vitin 2018 kishim 51 vrasje, minus 60% dhe trajektorja është në ulje të vazhdueshme”, deklaroi ministri Lleshaj i ftuar në një nga studio televizive këtë mbrëmje.

Sipas ministrit, ka patur zbardhje të jashtëzakonshme të ngjarjeve në të gjithë vendin, në Elbasan, në Durrës, por puna e policisë është deri në një masë, pastaj, shtoi ai, ju takon strukturave të tjera si Prokuroria për të hetuar ngjarjen.

“Janë kapur një numër i madh personash që prej vitesh ishin të zhdukur nga radari i Policisë“, tha Lleshaj.

I pyetur për disa nga krimet e rënda ndër vite si Ravik Gurra, Skerdilajd Konomi, apo bankierit Santo, ministri Lleshaj tha se kriminelët kanë përdorur mënyra të sofistikuara për kryerjen e krimit.

“Grupet kriminale përdorin çdo mjet që kanë në dispozicion. Shqipëria ka një arsenal të madh eksplozivi të paligjshëm. Ne kemi hapur depot dhe akoma vazhdojmë të vuajmë pasojat e hapjes së depove. Ka patur jo një grup, por shumë grupe. Por ka edhe celula të tjera, është një biznes kriminal. Kemi disa raste”, theksoi ai më tej.

Ndërsa i pyetur nëse do të vijoj të mbajë postin e ministrit të Brendshëm, Lleshaj tha se nuk ka asnjë vendim dhe se ishte plotësisht i angazhuar për të kryer detyrën e tij.

“Unë vij në politikë përmes një historie të veçantë, nuk jam ministër tipik, ka njëlloj atipizmi në rrugëtimin tim drejt politikës. Tani jam pjesë integrale e saj, pjesë e një ekipi dhe funksionoj si i tillë, si pjesë e një ekipi. Në punën time mundohem të mos kthehem mbrapa, por të ec përpara. Di që jam plotësisht i angazhuar dhe ka një regjistër arritjesh dhe më bëjnë të ndjehem legjitim në pozicionin që kam”, u shpreh Lleshaj.

Largimin e tij nga drejtimi politik në Lezhë, Lleshaj e konsideroi normal, pasi siç u shpreh ai ”ndjente një barrë shumë të madhe, pasi nuk ishte një mjeshtër i madh”

“Kam bërë maksimumin edhe atje por nuk është se ndjej veten një mjeshtër të madh, pasi përvoja ime në parti nuk është ajo e një mjeshtri”, tha Lleshaj./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.