Bushati: PS forcë e parë politike, do ruajmë rekordin e votave të vitit 2017

TIRANË, 15 shtator /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PS-së për Tiranën Ervin Bushati u shpreh sot se Partia Socialiste synon të ruajë rekordin me 74 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, duke theksuar se PS ka qenë partia më e madhe që nga viti ’90 dhe do të vazhdojë të jetë partia më e madhe.

“Ne në vitin 2017 kemi marrë 74 mandate dhe synojmë ta ripërsërisim në zgjedhjet e 25 prillit. Pra, është një rekord që e kemi vendosur dhe mendojmë se kemi arsye të shkojmë te qytetarët për t’i kërkuar një rinovim të kontratës, dhe ne patjetër ne do jemi forca e parë politike”, tha ai.

Duke folur për demokracinë në 30 vite, Bushati tha se “Shqipëria në vitet ’90 doli nga një regjim absurd”.

“Nga viti ’90 Shqipëria ka ecur shumë. Sot është partnere në NATO, është shumë pranë Bashkimit Europian. Edhe pse kaloi tri ngjarje të tmerrshme, dy tërmete dhe një pandemi është një vend që vazhdon të funksionojë dhe shoqëria u mbajt mirë. Unë mendoj se Shqipëria ka bërë shumë. Në 10 vitet e para demokracia shqiptare kishte oshilacionet e veta dhe nuk kishte nga të mësonte. Nuk mund të mësonim as nga regjimi komunist, as regjimi fashist dhe as nga pushtimi otoman. Prandaj, mendoj se ne nuk kemi pasur traditë nga tri bazat që përbëjnë shtetin, nuk kishim një treg, shtet ligjor dhe tani po përpiqemi që falë Reformës në Drejtësi të kemi sundim të ligjit që garanton që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit dhe një sistem funksional të demokracisë”, u shpreh Bushati. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.