30 minuta më pak jetë sedentare ul rrezikun e vdekjes nga kanceri

ROMË, 15 shtator /ATSH-ANSA/ – Qëndrimi ulur për shumë kohë rrit rrezikun e të prekurit nga kanceri, ndërsa zëvendësimi i 30 minutave ulur me aktivitete të lehta në të moderuar e zvogëlon rrezikun e vdekjes prej tij nga 8% në 31%, sipas një studimi të botuar në revistën “Jama Oncology” dhe i kryer nga nga Qendra e Kancerit “Anderson” në Universitetin e Teksasit.

“Ky është studimi i parë që tregon përfundimisht një lidhje të fortë midis stilit të jetës sedentare dhe vdekshmërisë nga kanceri”, tha Susan Gilchrist, shkencëtarja që kreu studimin.

“Përfshirja e 30 minutave të lëvizjes në jetën tuaj të përditshme mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut të vdekjes nga kanceri”, shtoi ajo për “CNN Health”.

Studimi përfshiu rreth 8 000 individë të shëndetshëm, niveli i aktivitetit fizik ditor të të cilëve u gjurmua objektivisht me një akseleometër, për shtatë ditë rresht, për një periudhë të zgjatur kohe midis vitit 2009 dhe 2013.

Pas një monitorimi 5-vjeçar, studiuesit llogaritën se personat që rrinë më shumë ulur kanë një rrezik 82% më të madh për të vdekur nga kanceri, sesa ata që rrinë më pak ulur, edhe kur merren parasysh faktorë të tillë si mosha, gjinia dhe shëndeti i përgjithshëm./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.