Viti i ri shkollor/ Malësi e Madhe, shkolla 9-vjeçare Gruemirë merr emrin e ish-profesorit Myftar Mataj

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare Gruemirë në Malësinë e Madhe, ka marrë emrin e ish-profesorit dhe ish-deputetit Myftar Mataj, që ka qenë një personalitet i njohur në zonën e Gruemirës dhe është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” pas vdekjes.
Në këtë ceremoninë e vendosjes së emrit, sot në ditën e fillimit të vitit të ri arsimor 2020-2021, ishin të pranishëm kryebashkiaku Tonin Marinaj, prefektja e qarkut Shkodër Majlinda Jubani, familjarë, miq, të afërm, nxënës dhe mësues.
Kryetari i bashkisë së Malësisë së Madhe, tha se “emri i të nderuarit Myftar Mataj, do të jetojë dhe të kujtohet përjetësisht përmes emrit të shkollës 9-vjeçare Gruemirë”.
“Ky vendim i këshillit bashkiak është marrë në unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët këshillit dhe përfaqësuesve të komunitetit të zonës Gruemirë”, theksoi Marinaj.
Duke iu uruar nxënësve dhe mësueseve suksese në këtë vit ri shkollor, kryebashkiaku nënvizoi se “ky vit shkollor nis me zbatimin e masave dhe protokolleve të mbrojtjes kundër COVID-19 dhe bashkia në bashkëpunim me institucionet arsimore, ka marrë të gjitha masat për respektimin e masave mbrojtëse në të 35 institucionet arsimore”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.