Një natë në det me peshkatarët/ Nafta pa taksa dhe heqja e TVSH-së për rrjetat, politikat që kanë dhënë rezultat

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Pavarësisht pandemisë së Covid-19, peshkimi mbetet një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në ekonominë shqiptare.

Për të mbështetur zhvillimin e këtij sektori, Qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian do të vënë në dispozicion një grant prej 1.5 milionë eurosh për të subvencionuar 50% të shpenzimeve për rinovimin e të gjithë pajisjeve për anijet e peshkimit.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi. Ministri iu bashkua një natë në Adriatik peshkatarëve, në një prej anijeve më të mëdha të flotës shqiptare të peshkimit dhe një ndër më të mëdhatë në Mesdhe për gjuajtjen e pelagjikëve.

Për gjashtë muajt e parë të vitit 2020 rritja e eksporteve në vlerë të prodhimeve të detit është 24.5% dhe në peshë 31.6%, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë gjatë vitit 2019, Shqipëria eksportoi rreth 100 milionë euro peshk dhe prodhime deti.

“Përjashtimi i naftës së peshkimit nga taksat, heqja e TVSH për materialet e peshkimit, si dhe investimet në infrastrukturë, janë ndërhyrjet e duhuara që kanë dhënë rezultate në këtë sektor”, tha ministri Çuçi.

Sipas ministrit, politikat tona në këto 6 vite e kanë çuar peshkimin në një stad tjetër.

“Është një nga sektorët që ka performuar shumë mirë. Po të shohim statistikat, eksporti i peshkut dhe prodhimeve të detit është rritur me 3.25 herë më shumë se në vitin 2013. Një nga gjërat më të mëdha që e kanë ndihmuar sektorin është përjashtimi nga taksa e qarkullimit, nga taksa e ndikimit në mjedis dhe nga akciza e naftës për peshkimin. Sot sektori i peshkimit e merr naftën me çmim burse. Sot shkon në rreth 40 lekë/litri i naftës nga rreth 170 lekë që ishte para 6 vitesh”, tha ministri Çuçi.

Më tej, ai bëri të ditur edhe një tjetër iniciativë në ndihmë të sektorit të peshkimit që pritet të aplikohet së shpejti.

“Qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian do të vënë në dispozicion një grant prej 1.5 milionë eurosh për të subvencionuar 50% të shpenzimeve për rinovimin e të gjithë pajisjeve për anijet e peshkimit”, tha ministri.

Sa i përket merkatove të tregtimit me shumicë të peshkut, aktualisht ka përfituar markata e Shëngjinit, e cila është në fazën e kolaudimit. Në verë të këtij viti ka nisur puna edhe për markatën e Vlorës. Investime të ngjashme pritet të nisin edhe në markatën e Durrësit e Sarandës.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.