Nis mësimi në të gjitha shkollat e bashkive të qarkut Dibër

TIRANË, 14 shtator /ATSH – I. Vata/ Në qarkun Dibër në të katër bashkitë: Mat, Bulqizë, Klos dhe Dibër ka nisur normalisht viti shkollor nën masa sigurie ndaj COVID-19.

Bashkia Bulqizë ka përmirësuar infrastrukturën arsimore në çerdhe, kopshte e shkolla dhe sot ka nisur mësimi në të gjitha shkollat.

Kryetari bashkisë Bulqizë Lefter Alla ka uruar sot nxënësit, prindërit dhe mësuesit në ditën e parë të shkollës.

“Shumë fat dhe suksese për të gjithë fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Plot shëndet, durim dhe energji për prindërit tanë, aq të angazhuar në edukimin e fëmijëve të tyre. Respekt për të gjithë mësuesit tanë, që me profesionalizmin e tyre ditën t’ia dalin më së miri edhe në momente shumë të vështira si ato që ndeshëm gjatë vitit të kaluar. Ky 14 shtator duhet të jetë krejt ndryshe për fëmijët që rikthehen nëpër klasa pas rreth 6 muajsh”, tha ai.

Bashkia Dibër ka përgatitur të gjitha shkollat për nisjen e vitit të ri shkollor.

Kryetari i bashkisë Dibër, Dionis Imeraj në urimin për nxënësit, prindërit dhe mësuesit ka apeluar për respektimin e masave antiCovid.

“Mbarësi dhe suksese për të gjithë mësuesit e nxënësit në këtë vit shkollor, e veçanërisht për vogëlushët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Mos harrojmë që objektivi kryesor këtë vit, krahas performancës në mësime, është kujdesi për shëndetin duke respektuar masat antiCovid”, shprehet ai.

Edhe bashkia Mat i ka marrë të gjitha masat duke bërë dezinfektimin e 30 objekteve arsimore, kemi rikonstruktuar, lyer, duke bërë riparime në nyjet sanitare dhe në sistemin elektrik në të gjitha shkollat.

Kryetari i bashkisë Mat, Agron Malaj u ka uruar suksese të gjithë fëmijëve në këtë vit të ri shkollor të pazakontë.

“Sfidues për ata që rikthehen në bankat e shkollës pas kaq muajsh që nga fillimi i pandemisë Covid-19. Sfidues dhe për ata që sot i drejtohen për herë të parë stacionit fillestar në rrugën e gjatë të dijes. Këtë vit s’do mund të takojmë mësuesit dhe shokët tanë për shkak të distancimit social që duhet të respektojmë për të ruajtur shëndetin tonë dhe të dashurve tanë”, shprehet ai.

Po ashtu edhe bashkia Klos, ka marrë masa për realizimin e piketimit për distancimin fizik, për sigurimin e ujit dhe energjisë elektrike si dhe dezinfektimin e ambienteve të jashtme e të brendshme, si detyrime periodike.

“Në kushtet kur ky vit shkollor do të fillojë të zhvillohet  në kushte të veçanta për shkak të situatës së pandemisë COVID-19 është shumë e domosdoshme që nga të gjithë nxënësit, prindërit, mësuesit dhe institucionet të zbatohet me rigorozitet udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe të zbatohen me përpikëri rregullat e thjeshta, por shumë thelbësore për shëndetin e fëmijëve të cilat do ndihmojnë në frenimin e përhapjes së COVID-19”, tha kryetari i bashkisë Klos Ilmi Hoxha.

“Hapja e dyerve të shkollës këtë vit mësimor 2020-2021 është një sfidë e jashtëzakonshme por me angazhimin e drejtuesve, prindërve dhe mësuesve do të kemi ambiente të sigurta për zhvillimin e një procesi mësimor duke ruajtur distancimin fizik dhe respektimin e protokollit si një garanci për ruajtjen e shëndetit për nxënësit, mësuesit dhe familjaret e tyre”, shprehet ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.