JAPONI – “SoftBank” shet gjigantin e mikroprocesorëve “Arm” 

TOKIO, 14 shtator /ATSH-AFP/ – Kompania japoneze “SoftBank” njoftoi sot shitjen për  40 miliardë dollarë të filialit të saj britanik “Arm”, një gjigant botëror i mikroprocesorëve, te kompania amerikane “Nvidia”, e cila synon që me këtë blerje të jetë në ballë të risive teknologjike të së ardhmes, sidomos përsa i përket Inteligjencës Artificiale.

Kjo megablerje pritet të finalizohet deri në mars 2022, në varësi të miratimit të shumë autoriteteve rregullatore në të gjithë botën, përfshirë Britaninë e Madhe, që e sheh me dyshim ndryshimin e pronësisë së kësaj teknologjie kombëtare.

“Jemi në dijeni të rolit jetësor të “Arm” në sektorin e teknologjisë dhe ekonomisë në BM. Po e shqyrtojmë këtë transaksion duke përfshirë ndikimin e tij në zyrën qendrore të Kembrixhit, me mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të duhura”, argumentoi qeveria britanike.

Pa dhënë asnjë garanci për 3 000 punonjësit në BM (nga 6 500 në botë), “Nvidia” premton ta ruajë selinë e “Arm” në Kembrixh, ku dëshiron të ndërtojë një super kompjuter të IA, si edhe qendrën e tij europiane./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.