Durrës/ Përurohet shkolla e re “Artan Zeka” në Qerret, mjedise më të mira për 106 nxënës

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Përurohet shkolla e re “Artan Zeka” në Qerret të njësisë administrative të Katundit të Ri në Durrës.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka përuruar sot shkollën e re “Artan Zeka” në Qerret të njësisë administrative të Katundit të Ri me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Kryebashkiakja Sako nga kjo shkollë e re ka uruar nxënësit, prindërit dhe mësuesit për një sezon sa më të mbarë shkollor si dhe ka bërë thirrje për të zbatuar me përpikëri protokollin shëndetësor.

Kryebashkiakja Sako shtoi se Bashkia e Durrësit ka punuar për të krijuar ambiente sa më të mira për nxënësit në shkollat e qytetit.

Shkolla “Artan Zeka” është ndërtuar tërësisht e re nga bashkia e Durrësit me fondet e veta dhe ka në përbërje të saj edhe një kopësht që është ndërtuar edhe ai i ri.

Në këtë shkollë mësojnë 106 nxënës ndërsa kopshti ka 28 fëmijë. Të gjithë këta nxënës e fëmijë si dhe stafi pedagogjik do të jenë tashmë në mjedise të reja me kushte bashkëkohore dhe me standarte të larta sigurie.

Kjo shkollë përveç 13 klasave ka edhe tre laboratorë, bibliotekë, dhomë psikologu, palestër etj.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.