Memaliaj/ Vazhdojnë punimet në rrugën Bylysh-Maricaj-Vagalat-Arrëz e Madhe

TIRANË, 13 shtator /ATSH/- Bashkia Memaliaj në bashkëpunim me kompaninë kontraktore po vazhdojnë punimet me ritme të përshpejtuara në rrugën Bylysh-Maricaj-Vagalat-Arrëz e Madhe.
Prej disa javësh po punohet intensivisht për rehabilitimin e këtij segmenti të lënë në harresë prej kohësh.
Ky investim i bashkisë Memaliaj është përqendruar në shtrimin e rrugës me çakull, sistemimin e kanalave kulluese dhe vendosjen e tombinove.
Mbi 650 banorët e këtyre zonave rurale shumë shpejt do të mund të lëvizin pa vështirësi dhe do t’iu lehtësohet puna për daljen më shpejt në treg me prodhimet bujqësore.
Në këtë aks rrugor rural prej vitesh nuk është vënë dorë, ndaj ndërhyrja e bashkisë me një projekt të rehabilitimit të plotë synon të sjellë standarde të reja jo vetëm në infrastrukturën urbane por edhe atë rurale. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.