Siguria rrugore/ Vijojnë kontrollet me radar në aksin Sauk-Teg, hiqen 24 leje drejtimi


TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës vijoi kontrollet me radar, gjatë orëve të mbrëmjes dhe orëve të para të mëngjesit në rrugët interurbane Tiranë-Elbasan-Tiranë- Durrës-Tiranë për të parandaluar aksidentet rrugore që vijnë si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara.

Po ashtu vijuan kontrollet edhe në të gjitha rrugët e kryeqytetit me dragera për të evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur.

“Pavarësisht kontrolleve të shtuara, sensibilizimit të bërë nëpërmjet publikimit të videove dhe apelit të përditshëm nga Policia Rrugore drejtuar përdoruesve të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, përsëri ka shumë drejtues mjetesh që abuzojnë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Prej orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme e deri në 01:00 të mëngjesit të sotëm janë evidentuar nga kontrolli me radar në segmentin Sauk-Teg, 16 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi deri mbi dyfishin e normave të lejuara, të cilëve ju pezullua leja e drejtimit.

Policia konstatoi shpejtësi që varionin nga 138 km/h deri 187 km/h. “19-vjeçari nga Tirana me 166 km/h, 33-vjeçari nga Durrësi me 171 km/h dhe 29-vjeçari nga Tirana me mbi dyfishin e shpejtësi me 187km/h kur dhe fluksi ishte akoma me intensitet. Ky guxim i tepruar apo papërgjegjshmëri ndaj jetës është i frikshëm për përdoruesit e rrugës, shpejtësi vrastare për jetën”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjithashtu janë vendosur 22 masa administrative për shpejtësi mbi normat e lejuara por pa masë plotësuese dhe për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara.

Po ashtu, janë vendosur 4 masa për manovra të rrezikshme në rrugë dhe 1 masë me vlerë maksimale pasi drejtuesi i mjetit ishte rezident në një shtet tjetër.

Kontrollet kanë vijuar dhe po vijojnë në të gjitha rrugët e kryeqytetit duke përdorur alkool-testuesit dhe si rezultat janë evidentuar deri në këto momente dhe u është pezulluar Leja e Drejtimit 8 drejtuesve të automjeteve të cilët drejtonin mjetin nën ndikimin e alkoolit, në masë që varionte nga 0.22 mg/l deri në 0.46 mg/l.

Gjithashtu janë evidentuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 4 drejtues mjetesh që drejtonin mjetin në gjendje të dehur në masë që varionte nga 0.54 mg/l deri në 0.64 mg/l.

/m.m/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.