Rindërtimi/ 290 milionë euro grante nga donatorët në projekte specifike

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se janë rreth 290 milionë euro grante në projekte specifike të detajuara e dakordësuara me donatorët që janë në faza të ndryshme zbatimi.

Deklarata e ministrit Ahmetaj u bë gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me drejtorin e Fondit të Katarit për Zhvillim, Khalifa Al Kuwari, për ndërtimin e dy shkollave dhe kopshtit e çerdhes 42, përmes një investimi prej 5 milionë dollarësh, kontribut i Katarit në Konferencën e Donatorëve në Bruksel.

Programi i Rindërtimit për arsimin parashikon ndërtimin e 143 shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar në zonat e prekura.

Procesi, informoi ministri Ahmetaj, është në faza të ndryshme.

“Me disa partnerë donatorë jemi në fazën e dakordësimit, apo nënshkrimit të marrëveshjeve, siç është rasti i Katarit, apo në procedura prokurimi siç po bën Komisioni Europian dhe UNDP, apo përgatitjes së projekteve dhe ideve e deri te hapat e fundit para fillimit të punës në terren”, u shpreh Ahmetaj.

Sipas ministrit Ahmetaj, pjesë e avancimit të investimit në shkolla janë disa donatorë, si Katari, Komisioni Europian, KfW, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, etj.

“Janë disa donatorë që po investojnë së bashku me buxhetin e shtetit në 143 shkolla”, u shpreh Ahmetaj./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.