Fondi i Katarit për Zhvillim 5 milionë dollarë për rindërtimin e 2 shkollave dhe kopshtit/ Nënshkruhet marrëveshja në Tiranë

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj si dhe drejtori i Fondit të Katarit për Zhvillim, Khalifa Al Kuwari nënshkruan sot në Tiranë, marrëveshjen për grantin prej 5 milionë dollarësh për rindërtimin e 2 shkollave dhe kopshtit e çerdhes 42 në Tiranë.

Financimi është pjesë e kontributit të Katarit në Konferencën e Donatorëve në Bruksel.

Ndërkohë që kantierët e financuar nga qeveria për rilindjen e shkollave të rrënuara janë në punë, vazhdojnë proceset teknike drejt hapjes së shpejti edhe të kantiereve të financuar nga Bashkimi Europian dhe miqtë e tjerë të Shqipërisë.

“Me këtë rast kush ankohet për ritmin, le të vërejë se ne kemi ecur me shumë shpejtësi në zbatimin e projekteve të financuara nga buxheti i shtetit, ndërkohë që për projektet e financuara nga donatorët duhet bërë pak durim, në respekt të procedurave të tyre”, deklaroi ministri Ahmetaj.

“Me këtë shpjegim mbase edhe ata që gjuajnë në ajër duke thënë “e mo se paratë e botës janë” apo më keq akoma “i vodhët paratë e botës”, e mësojnë se “paratë e botës” nuk vijnë me thes dhe donatorët i bëjnë vetë procedurat, tenderët, supervizionin e punëve që kryhen me paratë e tyre. Ja kështu dhe boll me akuza e sharje në hava.”, iu përgjigj Ahmetaj akuzave të opozitës për ritmin e punimeve në objektet që janë pjesë e Programit të Rindërtimit./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.