SHBA – Pompeo në Qipro për zgjidhjen e tensioneve në Mesdheun Lindor

UASHINGTON, 11 shtator /ATSH-AFP/ – Sekretari amerikan i Shtetit njoftoi se do të shkojë në Qipro për të kërkuar një zgjidhje paqësore për tensionet në rritje në Mesdheun Lindor dhe i kërkoi Turqisë të tërheqë forcat nga zona e diskutueshme. 

Pompeo do të mbërrijë në Qipro të shtunën, pas kthimit nga Doha ku do të marrë pjesë në fillimin e negociatave të paqes mes qeverisë afgane dhe kryengritësve talebanë.

Kjo vizitë do të zhvillohet pas bisedave telefonike mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij turk Rexhep Tajip Erdogan si dhe me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

“Konflikti duhet të zgjidhet në një mënyrë diplomatike dhe paqësore”, theksoi Pompeo për gazetarët në bordin e avionit të tij.

Kreu i diplomacisë amerikane përshëndeti përpjekjet e Gjermanisë për të ulur tensionet mes protagonistëve. Franca është gjithashtu shumë e përfshirë në këtë çështje dhe ka dhënë qartësisht mbështetjen e saj për Greqinë dhe Qipron.

Turqia dhe Greqia, të dyja anëtare të NATO-s, pretendojnë për depozitat e hidrokarbureve në Mesdheun Lindor, në një zonë që Athina e konsideron të jetë nën sovranitetin e saj.

Vizita e Pompeos ndodh ndërkohë që SHBA-ja ka hequr së fundi një embargo mbi shitjen e armëve në Qipro, gjë që ka rritur zemërimin e Turqisë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.