Qafështamë, aksion për pastrimin e parkut nga mbetjet plastike

TIRANË, 11 shtator/ATSH/  Parku kombëtar i Qafështamës, 25 km në verilindje të qytetit të Krujës ishte sot në qendër të një aksioni pastrimi nga punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM) Durrës.

Stafi i AdZM Durrës pastroi ambientet e parkut nga mbetjet plastike të hedhura nga vizitorët në mënyrë të papërgjegjshme.

Punonjësit e AdZM Durrës kujdesen në mënyrë të vazhdueshme për pastrimin e ambienteve të këtij parku, duke organizuar herë pas here aksione për heqjen e mbeturinave.

Ky park, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si vend kurativ dhe turistik. Ajo çka e dallon Parkun Kombëtar të Qafështamës është masivi i Pishës së Zezë dhe Ahut, duke ofruar një peizazh të gjelbërimit të përhershëm të pishës dhe bukurisë natyrore të ndërthurur me ahun.

Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafështama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.