Këshillit Politik mblidhet në fillim të javës/ Gjiknuri: Nëse ka vullnet procesi mbyllet në fund të shtatorit

TIRANË, 11 shtator /ATSH – I. Vata/ Partia Socialiste do të kërkojë që javën e ardhshme të mblidhet Këshilli Politik dhe paralelisht me punën që do të bëhet nga Komisioni i Ligjeve, amendimet e Kodit Elektoral të diktuara nga ndryshimet kushtetuese të marrin dhe dakordësinë e kësaj strukture.

Lajmin u bë i ditur nga përfaqësuesi i Këshillit Politik në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri i cili tha se, “në fillim të javës tjetër do të kërkojmë thirrjen e Këshillit Politik, për të filluar konsultimet. Kuvendi është sovran për të bërë ndryshimet, por nga ana tjetër kemi detyrimin të konsultohemi dhe të mundohemi të gjejmë një kompromis së bashku”.

Gjiknuri tha se nëse ekziston vullneti në fund të shtatorit mbyllet ky proces.

“Vullneti nëse ekziston nga palët, produkti mund të dalë shumë shpejt, sepse janë pak ndryshime që do bëhen. Jam i bindur që ne kemi mundësinë brenda shtatorit ta përfundojmë këtë proces”, tha ai.

Përsa i përket koalicioneve, Gjiknuri tha se “koalicionet garojnë me listë unike dhe nuk mund të shkojnë me disa lista. Kjo është qasja që ne mendojmë dhe këto janë modelet që ne do marrim”. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.