GJERMANI – Scholz: Traktatet për Brexit duhet të respektohen

BERLIN, 11 shtator /ATSH-AFP/ – Traktatet duhet të respektohen, theksoi sot ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, në reagim të projektligjit të Britanisë së Madhe që vë në pikëpyetje disa nga angazhimet e saj për Brexit.

“Është e qartë që secili t’i përmbahet asaj që ka pranuar tashmë”, nënvizoi zyrtari gjerman, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e radhës së Bashkimit Europian.

Scholz u shpreh pas mbërritjen në një takim të ministrave europianë të Financave në Berlin.

Teksti britanik, që Londra përjashton ta tërheqë pavarësisht kërcënimeve për veprime ligjore nga BE, kërkon rishikimin e disa angazhimeve të marra në kuadër të marrëveshjes së tërheqjes, nënshkruar në fillim të vitit me Brukselin.

Propozimi, që përfshin protokollin e negociuar për të shmangur rikthimin e një kufiri në ishullin e Irlandës, vështirëson akoma më shumë diskutimet e nisura që prej marsit në kuadër të një marrëveshjeje për marrëdhënien e ardhshme mes Britanisë së Madhe dhe BE-së.

Ministri irlandez i Financave, Paschal Donohoe nënvizoi përveç të tjerave se respektimi i traktateve përbën një kusht paraprak për çdo marrëdhënie të ardhshme./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.