COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 97 të shëruar, 161 raste të reja dhe 3 humbje jete në 24 orët e fundit

TIRANË, 11 shtator /ATSH – I. Vata/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 161 raste pozitive me COVID-19, 3 qytetarë kanë humbur betejën me virusin dhe janë shëruar 97 qytetarë.

“Nga të dhënat epidemiologjike incidenca e dy javëve të fundit është 62.9 raste/100000 banorë. Krahasuar me incidencën 2-javore të javëve pararendëse ka një ulje të lehtë, por ky është një moment i rëndësishëm për të kujtuar rëndësinë e respektimit të rregullave pasi hapja e shkolla mund të ketë impakt në situatën epidemiologjike. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 97 qytetarë, duke e çuar në 6443 numrin e të shëruarve. Nga 875 testime të kryera, 161 kanë rezultuar pozitivë më virusin SARS COV2”, informoi dr. Gentiana Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik.

Në vijim, Qirjako shton se, “shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 54 raste në Tiranë, 20 raste në Elbasan, 13 raste në Korçë, 11 raste në Kukës, 10 raste në Durrës, Lezhë, 9 raste në Krujë, 6 raste në Pogradec, 4 raste në Kamëz, nga 3 raste në Shkodër, Devoll, Kavajë, Vlorë, 2 raste në Gramsh, nga 1 rast në Has, Lushnjë, Pukë, Mirditë, Berat, Librazhd, Përmet, Malësi e Madhe, Shijak, Maliq”.

“Sipas Qirjakos, në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 188 pacientë, 21 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.

Një 80-vjeçar nga Shkodra, një 82-vjeçar dhe një 90-vjeçar nga Tirana nuk e fituan dot betejën me sëmundjen në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe infermierëve. I shprehim ngushëllimet familjarëve.

Me rinisjen e procesit mësimor, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel mësuesve, prindërve, nxënësve të respektojnë me përpikëri masat ndaj COVID-19 me qëllim frenimin e përhapjes së këtij virusi. Maska është e detyrueshme. Respektimi i distancës dhe higjienës. Koordinatori në çdo shkollë duhet menjëherë të sinjalizojë strukturat e shëndetësisë për çdo rast të dyshuar. Por edhe prindërit kanë rol të rëndësishëm për të frenuar përhapjen e COVID-19, duke u kujdesur që çdo dite të masin temperaturën e fëmijëve përpara se të shkojnë në shkollë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju këshillon të mos neglizhoni shenjat e infeksionit SARS COV2, të kontaktoni menjëherë Urgjencën Kombëtare 127 dhe nëse konfirmoheni pozitiv me COVID-19 duhet patjetër të lidheni me mjekun tuaj të familjes, në mënyrë që të nisni trajtimin sa më parë sipas protokolleve të mjekimit. Nëse nuk e dini cili është mjeku juaj i familjes, telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 ku do të merrni informacionin e duhur”, apeloi Qirjako.

COVID-19 – Statistika (11 shtator 2020)

Testime totale                72155

Raste pozitive                11021

Raste të shëruara           6443

Raste aktive                  4251

Humbje jete 327 (qarku Tiranë 157, Durrës 44, Shkodër 38, Elbasan 20, Fier 16, Korçë 13, Lezhë 12, Kukës 8, Dibër 7, Vlorë 6, Gjirokastër 4, Berat 2).

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë        2206

Durrës        489

Shkodër      338

Lezhë          237

Elbasan       210

Korçë          176

Fier             160

Vlorë           145

Kukës          130

Berat            78

Gjirokastër    40

Dibër            42

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.