Balla: PS, forca e vetme politike që ndërton shtet dhe garanton aspiratën për integrim europian

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ “Shumica e shqiptarëve na beson ne si forca e vetme politike që ndërton shtet dhe garanton plotësimin e aspiratës për integrim europian”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Në kuadër të takimeve organizative dhe parapërgatitore për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla mori pjesë në Asamblenë Socialiste të Elbasanit.

“Dobësia e thellë e kundërshtarit dhe pabesueshmëria e tyre publike, nuk duhet të na vetëkënaqë duke lënë pas dore për asnjë moment organizmin dhe përmirësimin e strukturës së partisë sonë”, u shpreh Balla në takim me socialistët e Elbasanit.

Ai theksoi se “ne s’mund të jemi të vetëkënaqur se një pjesë e shqiptarëve na shohin si e keqja më e vogël, por shumica e shqiptarëve na beson ne si forca e vetme politike që ndërton shtet dhe garanton plotësimin e aspiratës për integrim europian”.

“Qasja jonë në qeverisje ka gjithmonë në themel shpirtin e protestës ndaj problemeve me të cilat përballen realisht shqiptarja e shqiptari i thjeshtë çdo ditë, në çdo zyrë shteti, në çdo bashki, në çdo shërbim publik etj.”, tha ai.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.