Rrëzohet dekreti i Metës për kthimin në Kuvend të “4 rajoneve”/ Braçe: Presidenti, me axhendë të partive politike pranë tij

 

https://www.facebook.com/kuvendishqiperise/videos/2651978591799036/?t=1935

 

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se nuk ka gjë më të keqe, nga pikëpamja institucionale, që mund t’i ndodhë një vendi, sesa një president i njëanshëm, një president politik dhe partiak, në funksion dhe me axhendë të partive politike pranë tij.

Deklarata e zv.kryeministrit Braçe u bë gjatë diskutimit të dekretit të Presidentit për kthimin për rishqyrtim të ligjit “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.

Argumenti i Presidentit në dekret ishte se ligji në përmbajtjen e tij cenon disa parime kushtetuese.

Braçe theksoi se Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve daton në vitin 2010 dhe e ka ndërtuar qeveria Berisha.

“Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve u miratua kur në qeverisje nuk ka qenë partia Socialiste, por dy parti simotra, njëra Partia tradicionale Demokratike dhe tjetra Partia e re Demokratike apo jo, e Presidentit të Republikës, Ilir Meta”, deklaroi Braçe.

Ky proces, sipas tij, rregullohej me akte nënligjore dhe ne po e ngremë në konturet e ligjit”, tha ai.

Braçe akuzoi Presidentin se nuk përfaqëson unitetin e popullit, siç e ka të përcaktuar në Kushtetutë.

“Do të doja të referoja nenin 86 të Kushtetutës, i cili thotë se Presidenti është kryetari i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Nga ky përkufizim i Kushtetutës, as përfaqësohet dhe akoma më keq, refuzohet dhe hidhet përdhe, pikërisht duke iu referuar disa mendimeve që burojnë nga Kushtetuta e Republikës, sipas Presidentit apo sipas përfaqësuesve të tij. Ajo që sinqerisht më vjen keq dhe që është nga elementët kyç, ku përfaqësimi i uniteti të popullit griset copa-copa, ishin fyerjet dhe gënjeshtrat”, tha Braçe.

“Dua t’i them Presidentit të Republikës, – vijoi ai më tej, – dhe çdo përfaqësuesi të tij se nuk kanë tagër as kushtetues e as ligjor, të fyejnë cilindo nga deputetë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të bëjnë asnjë përcaktim për deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë, si janë zgjedhur, apo si e ushtrojnë detyrën e tyre”.

“Është e turpshme, – theksoi Braçe, – që Presidenti i Republikës merr përsipër kohë pas kohe të gjykojë deputetët e ligjshëm të Parlamentit të Republikës, zgjedhur përmes një procesi zgjedhor, certifikuar nga institucionet zgjedhore, të cilët Presidenti herë i pëlqen, herë nuk i pëlqen, herë ua njeh veprimet dhe i dekreton, e herë vjen këtu e i fyen”.

Sipas zv/kryeministrit, kjo lloj sjellje cenon rëndë parimet kushtetuese mbi bazën e të cilave duhet të veprojë Presidenti i Republikës.

Në të njëjtën linjë, tha më tej Braçe, dëgjova se Presidenti ka të njëjtin qëndrim kundrejt kryetarëve të zgjedhur të pushtetit vendor.

“Imagjinoni sa alogjike është kjo sjellje. Këtu ka sjellë një dekret ku akuzon qeverinë se po merr kompetencat e kryetarëve të bashkive dhe me fjalinë tjetër thotë që ata nuk janë legjitimë, atje ku janë. Nuk po them kur shkon atje, në territor dhe ata e nderojnë me shiritin kuq e zi, si institucion Presidentin e Republikës dhe detyrohet t’i nderojë kur shkon atje, siç i ka falenderuar jo më larg se një javë më parë, por tani të vijë këtu dhe si një nga aktorët kyç të shtetit shqiptar dhe të sulmojë dy pushtete legjitime, të ndara, të cilat një herë i mbron e një herë i sulmon, është e pandershme”, deklaroi Braçe.

Sipas Braçes, Parlamenti e pushteti vendor gjykohen si të tilla nga Presidenti, për shkak të veprimeve të qarta të tij dhe partive pranë tij, kundër këtyre institucioneve legjitime.

“Mjafton t’u sjell në vëmendje se bojkoti i Parlamentit ka goditur shumë rëndë jo vetëm Kushtetutën, por edhe demokracinë në këtë vend. Nëse kemi një problem të madh me demokracinë tani, pa diskutim, problemi është shtuar e bërë madhor, për shkak të bojkotit të Parlamentit, jo për shkak të këtyre deputetëve që janë në Komisionin e Ekonomisë, që zbatuan Kushtetutën dhe janë aty për të ushtruar detyrën e tyre, bazuar në votën e popullit. Nëse ne kemi një problem demokratik sot dhe e adresojmë tek pushteti vendor, e gjitha ka ardhur për shkak të bojkotit të zgjedhjeve, si një grusht shumë i rëndë i demokracisë në këtë vend”, shtoi ai.

Madje, tha Braçe, këtu ka edhe një element shumë më të rëndë, siç ishte ai i zhdekretimit të zgjedhjeve, antikushtetues fund e krye, e i gjykuar si i tillë nga Komisioni i Venecias, në kushte flagrance totale të Kushtetutës nga Presidenti i Shqipërisë.

“Nëse ne sot kemi një problem me Gjykatën Kushtetuese, e kemi këtë problem, jo thjesht e vetëm për shkak të reformës në drejtësi, e vetingut si proces kyç i reformës që pastroi një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, që ishte kapur keq, jo vetëm nga politika, por edhe nga korrupsioni e pasuritë e paligjshme, por edhe për shkak të vonesave të njëpasnjëshme që i janë shkaktuar procesit për të plotësuar vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, vonesa që nuk mund të tolerohen më, përtej fundit të këtij viti, për të gjykuar veprimet e gjithë secilit, qeverisë në radhë të parë, Kuvendit, por edhe Presidentit, fati i të cilit në fund fare varet nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi zv.kryeministri.

Sipas Braçes, nuk ka gjë më të keqe nga pikëpamja institucionale që mund t’i ndodhë një vendi, sesa një president i njëanshëm, një president politik, partiak, në funksion dhe me axhendë të partive politike pranë tij dhe në funksion të tyre, me të gjithë gënjeshtrat e tjera që vijnë mbi të e që rrëzohen fare kollaj.

“Mjafton t’i referohesh ligjit dhe e kupton që e gjithë piramida e këtij ligji që kundërshton antikushtetueshmërinë e këtij ligji, bie e bashkuar me paligjshmërinë e Kuvendit, anikushtetueshmërinë e përbërjes së Kuvendit, pushtetit vendor e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, e lidhur në mënyrën më alogjike të mundshme me ndryshimet e miratuara në Kuvend në Kushtetutën e Shqipërisë, të cilat Presidenti i pëlqen nën zë, por në krahun tjetër u del kundër”, tha Braçe.

Sipas tij, hera e fundit që Shqipëria ka patur një model presidenti të tillë, ka qenë në vitin ’96 e ka vijuar në ’97.

“Kujtoni çfarë i ka ndodhur Shqipërisë në këtë kohë. Është një model që nuk e pati kurrën e kurrës presidenti Mejdani, Mojsiu, Topi, pothuajse në pjesën dërrmuese të mandatit të tij as presidenti Nishani”, u shpreh Braçe.

Komisioni për Ekonominë dhe Financat e hodhi poshtë me votë dekretin e Presidentit të Republikës, për kthimin për rishqyrtim të ligjit “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.