“Prokurorët e SPAK, udhërrëfyesit e Reformës në Drejtësi”/ Kim: Na duhen më shumë heronj të tillë

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, në Tiranë Yuri Kim ka dhënë sot sërish mbështetjen e saj dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për prokurorët e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

“Prokurorët e SPAK janë nismëtarët dhe udhërrëfyesit e reformës në drejtësi. Na duhen më shumë heronj të tillë”, është shprehur ambasadorja Yuri Kim, e cila ka publikuar disa foto nga një takim që ka pasur me këta prokurorë.

Edhe sot nga Shkodra ku po zhvillon një vizitë dyditore, Kim e pyetur për arrestimet e SPAK, u shpreh se, “mendoj se është gjë e mirë dhe ka ardhur koha që SPAK të jetë tërësisht funksional dhe kemi parë që disa po përpiqen t’i pengojnë në punë e tyre dhe t’i intimidojnë në punën e tyre. Por ka ardhur koha t’u qëndrojnë fort këtyre personave”.

Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatave të posaçme, merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale,si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj. Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me këtë ligj.

Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme. Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatave të Posaçme.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.