Malësi e Madhe/ Mjedise të rikonstruktuara në shkollën 9-vjeçare “Vrakë”, përfitojnë mbi 150 nxënës

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Vrakë” në Malësinë e Madhe, mirëpret këtë vit shkollor nxënësit e saj me ambiente tërësisht të rikonstruktuara dhe me kushte shumë të mira.
Rreth 150 nxënës të kësaj shkolle, këtë vit do zhvillojnë mësimin në ambiente tërësisht të transformuara.
Kryetari i bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, i tha ATSH-së, se “me një fond prej 42 milionë lekë, ambientet e brendshme dhe të jashtme të kësaj shkolle i janë nënshtruar një rikonstruksioni të plotë, duke i dhënë pamjen që meriton një institucion arsimor”.
Janë restauruar çatia, klasat ekzistuese, shkallët, sistemi i ngrohjes, nyjet hijeno-sanitare, banjot si dhe është krijuar hapësira sportive sipas modeleve më të mira dhe janë shtuar sipërfaqet e gjelbëruara.
“Viti i ri shkollor nis së shpejti dhe bashkia Malësi e Madhe, ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit mësimor në të gjitha institucionet arsimore, në pesë njësitë administrative të saj, për zbatimin e protokolleve antiCovid”, – tha Marinaj.
e.xh/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.