Lleshaj prezanton forcat “Shqiponja” në Kukës: Investimet në siguri dhe rend, rrisin cilësinë e jetës

TIRANË, 10 shtator/ATSH-A. Fortuzi/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka prezantuar të enjten në mëngjes në Kukës forcat “Shqiponja”, duke theksuar se investimi në siguri dhe rend, është një investim që rrit kualitetin e jetës së qytetarëve.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë ceremonisë për prezantimin e forcave “Shqiponja” përgëzoi qytetarët kuksianë për mbrojtjen që i kanë bërë mjedisit, duke mos ndezur zjarre. Sipas Lleshajt, mungesa e zjarreve është dëshmi e dashurisë që kanë kuksianët për vendin.

“Mungesa e zjarreve në Kukës nuk është rastësi. Ashtu sikundër nuk është rastësi prania e tyre në vendet e tjera. Ky është një tregues sesa kuksianët e duan vendin e tyre dhe Shqipërinë. S’ka gjë më të rëndësishme se sa ta duam Shqipërinë dhe kjo bëhet duke e mbrojtur atë. Në thelb duhet të bëjmë shumë pak për ta mbrojtur këtë vend, duhet vetëm të mos e dëmtojmë”, – tha Lleshaj.

Ministri i Brendshëm, më tej u shpreh se qeveria shqiptare në fokus ka pasur sigurinë me qëllim për të krijuar kushtet për një kualitative.

“Qeveria Shqiptare përgjatë këtyre 7 viteve ka pasur objektivin madhor për tu bërë shtet. Me konsolidimin e shtetit krijojmë kushtet që qytetarët të jetojnë në liri, dinjitet dhe prosperitet. Përgjatë kësaj kohe investimet në këtë fushë kanë qenë të mëdhaja. Një nga funksionet bazike të shtetit për të cilën ka lindur shteti, madje funksioni i parë për të cilin ka lindur shteti është siguria, garantimi i sigurisë për qytetarët e tij. Për këtë arsye investimet në fushën e sigurisë kanë qenë të vazhdueshme dhe janë rritur në mënyrë progresive”, – tha Lleshaj.

Sipas tij, këtë vit janë shtuar 600 punonjës policie. “Këtë vit qeveria miratoi shtesë të konsiderueshme ne organikën e Policinë e Shtetit, gati 600 punonjës të ri, dhe duket interesante fakti se kjo shtesë është bërë kur pengesa buxhetore, financiare janë jo të pakta për arsye të situatave të vështira me të cilti është ndeshur vendi. Kjo shtesë është bërë me  bindje të plotë se çdo investim në sigurinë e vendit, është investim në të ardhmen e tij, në mirëqenien e qytetarëve në zhvillimin e jetës ekonomike, sociale… etj.”, – tha ministri Lleshaj.

“Përgjatë shtatë viteve të fundit, Policia e Shtetit ka shtuar 1 700 vetë, që është rritje e konsiderueshme prej 17%. Ndërkohë që ky investim është përkthyer në një rritje të sigurisë publike në vend. Sot konstatojmë me vetëbesim të madh, Shqipëria po përjeton një nga periudhat më të mira të sigurisë publike të 30 viteve të fundit. Të gjithë treguesit që faktojnë rendin publik, janë në optimumet historike, janë në pikat më të mira në krahasim me 30 viteve e fundit”, – vijon ai.

Siguria është rritur dhe këtë e dëshmojnë të gjitha treguesit. “47% është ulur numri i vrasjeve në shtatë vitet e fundit, gati përgjysmuar, gjë që tregon, pasqyron nivelin e ri të sigurisë. Ky është vetëm një tregues, por po të marrim të gjithë treguesit, plagosjet, aksidentet, të gjitha janë në minimumin historik të tre dekadave të fundit. Kemi ndërkohë investime në rritje për sigurinë publike në vend, janë dy kurba pra që shkojnë në drejtime të kundërta, sa më shumë investohet në polici, aq më shumë ulet kurba e krimit dhe aq më shumë rritet rendi dhe siguria dhe kualiteti i jetës së qytetarëve shqiptarë”, – tha Lleshaj.

“Ne duhet të jemi gjithnjë një hap përpara rreziqeve që paraqiten në fushën e sigurisë dhe rreziku më i lartë është krimi, i cili sofistikohet gjithnjë e më shumë. Nëse deri dje lufta ishte ndaj bandave, grupet kriminale të armatosura… etj., sot fokusi me ngadalë po zhvendoset tek forma e re e krimit, por është një krim i sofistikuar, me shumë para, influencë, asete, që depërton në media, portale, teknologji, në sistemet financiare, një krim që luftohet me mënyra dhe mjete të reja”, – tha ministri i Brendshëm.

“Policia  e Shtetit po punon për t’u futur në një etapë tjetër për tu përballur në mënyrë më të sofistikuese ndaj krimit. Nuk është objektiv vetëm shtimi i numrit, por dhe cilësia e punonjësve. Pikërisht për të qenë më të sofistikuar ne kemi krijuar katër struktura të reja, që nuk lidhen drejtpërdrejt me forcën, por edhe me sofistikimin”, – tha Lleshaj.

Ai shtoi se për të pasur një luftë më të sofistikuar janë krijuar katër njësi të reja në organikën e Policisë së Shtetit. “Kemi njësinë E, që merret me krimin ekonomik. Kjo përbëhet nga studentë ekselentë që pas përfundimit të universiteteve në disa degë ekonomike, janë arsimuar si oficerë të policisë kriminale dhe tashmë janë të fokusuar tek krimi financiar. Po ashtu njësi e re, që është shtuar është njësia K, që merret me kapjen e personave në kërkim. Një tjetër njësi është I, ajo e inteligjencës dhe informacionit, që shënon një kapacitet të ri dhe të munguar në Policinë e Shtetit. Përmes kësaj njësie policia shton sytë, shqisat e saj. Njësia C, njësia e luftës ndaj krimit kibernetik dhe kompjuterik. Po ashtu dhe OFL. Operacioni Forca e Ligjit që synon të luftojnë pasurinë e krijuar përmes krimit”, – tha Lleshaj.

Ai mbylli fjalën duke thënë se “sot 62% e qytetarëve shqiptarë kanë një nivel pozitiv perceptimi për Policinë e Shtetit dhe punën e saj. shifër e lartë krahasuar me vendet e rajonit apo të BE. Po ashtu mbi 75% e qytetarëve shqiptarë janë më të sigurtë dhe ndihen më të siguritë kur janë ë rrugët e qytetit apo fshatit kur janë në rrugë. Këto janë tregues që na inkurajojnë të vijojmë më tej në këtë rrugë”, – tha Lleshaj. /j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.