Kufiri detar me Greqinë/ Milo: Duhen negociata, nuk kemi përcaktuar ujërat territoriale

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Historiani Paskal Milo u shpreh sot se Shqipëria do të duhet të hyjë në negociata për detin me Greqinë, pasi “ne nuk kemi zonë ekskluzive ekonomike, nuk kemi të përcaktuar shelfin kontinental dhe nuk kemi të përcaktuar ujërat territoriale me dokument referues”.

Duke u prononcuar në një studio televizive në lidhje me debatin e lindur nga deklaratat e autoriteteve greke për zgjerim me 12 milje në det, Milo theksoi se “ne kemi vetëm protokollin e Firences të 17 janarit të vitit 1925 që ka një frazë në fund për vijën detare që nis nga Ftetja deri lart në Otranto. Ne nuk kemi të përcaktuar saktë ku kalon dhe si kalojnë kufiri i ujërave tona territoriale”.

Milo theksoi se çdo shtet duhet të mbështetet në marrëveshjen ndërkombëtare të Montego Bay, duhet të ligjërojë ujërat territoriale deri në 12 milje.

“Çdo shtet duhet të ketë mbështetjen në marrëveshjen ndërkombëtare të Montego Bay, duhet të ligjërojë ujërat territoriale deri në 12 milje. Ne e kemi nënshkruar atë marrëveshje mes 177 vendeve të tjera. Të mos ketë mbivendosje dhe të mos ketë konflikte duhet që vendet fqinje ose përballë ose përbri të merren vesh”, tha ai.

“Mua më duket zhurmë e nisur nga një deklaratë”, theksoi Milo në lidhje me debatin në Shqipëri.

“Marrëveshjet nënshkruhen nga persona me fytyrë dhe emër. Nuk ka marrëveshje pa pasur një grup negociator, nga asnjëra palë”, u shpreh ai.

z.tosku

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.