Betohen 8 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor janë betuar këtë të enjte, duke marrë zyrtarisht detyrën.

Pasi u përzgjodhën të martën pasdite me short, në prani të publikut dhe përfaqësuesve të KQZ, partive politike, organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe drejtësisë, këtë të enjte, në zbatim dhe të Kushtetutës, u zhvillua në ambientet e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit edhe ceremonia e betimit të tetë anëtarëve që do të jenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor: Sokol Ibi, Manjola Xhaxho, Edlira Petri, Eljona Muçi, Asim Vokshi, Gentian Medja, Esmeralda Çeka dhe Alma Kolgjokaj.

Në ceremoninë e betimit, në respektim të parashikimeve të bëra në Kushtetutë, anëtarët në ritualin e betimit u shprehën se: “Betohem solemnisht se do të respektoj, do të mbroj dhe do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë, se do të respektoj të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe do të përmbush detyrat e mia. Betohem se do të kryej detyrën time me të gjitha mundësitë e mia dhe në mënyrë të paanshme, të drejtë dhe pa favorizuar ndonjë person, parti politike apo subjekt zgjedhor”.

Sipas ligjit, konstituimi i Kolegjit bëhet menjëherë pas betimit dhe thirret në detyrë nga Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë vë në dispozicion të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor mjedise të mjaftueshme pune, pajisje dhe personel, në mënyrë që të sigurojë kryerjen në kohë dhe në mënyrë profesionale të detyrave të veta. Vendimet e Kolegjit botohen në faqen e internetit të Gjykatës Administrative të Apelit.  Me kërkesë të kryetarit të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Kolegji ri-thirret në detyrë sa herë që pranë kësaj gjykate depozitohen ankime ndaj vendimeve të KQZ-së, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 145 të këtij ligjit për funksionin e Kolegjit Zgjedhor.

Ngritja e këtij Kolegji Zgjedhor vjen dhe pas votimeve nga ana e kuvendit të ndryshimeve në kodin zgjedhor, sipas marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës brenda dhe jashtë kuvendit në tryezën e Këshillit Politik.

Kolegji Zgjedhor që do të vlerësojë procesion zgjedhor të 2021 dhe ankesat nga partitë politike në lidhje me zgjedhjet. Sipas marrëveshjes së arritur në tryezën e Këshillit Politik, kushti që gjyqtarët duhet të plotësonin për të qenë anëtar kolegji ishte kalimi i Vetingut në të dyja shkallët, shkalla e parë KPK dhe atë të Kolegjit të Apelimit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.