Sipërfaqja e zonave të mbrojtura është rritur me rreth 10% në fund të vitit të kaluar

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Sipërfaqja e zonave të mbrojtura në vendin tonë është rritur me 10%, në fund të vitit të kaluar, krahasur me vitin 2015.

Sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT, zonat e mbrojtura në vitin 2019 zënë një sipërfaqe të përgjithshme prej 523.831 ha duke zënë 30,0% të sipërfaqes së fondit pyjor dhe rreth 18,0% të sipërfaqes së përgjithshme të vendit.

“Në vitin 2019, sipërfaqen më të madhe të zonave të mbrojtura e zënë parqet kombëtare me 44,0% të sipërfaqes gjithsej, ndjekur nga rezervatet natyrore të menaxhuara me 32,3%, peizazhet e mbrojtura me 18,6%, zonat e mbrojtura të menaxhuara 3,5%,  rezervatet natyrore 0,9 % dhe monumente natyrore 0,7%”, shprehet INSTAT.

Zonat e mbrojtura natyrore dhe turistike në vendin tonë, janë konsideruar si pjesë tokësore dhe ujore të mbrojtura për shkak të shumëllojshmërisë biologjike të pasurive natyrore dhe kulturore që ato ofrojnë. Ato ndahen në 6 kategori sipas rëndësisë, ku pjesën më të madhe e parqet kombëtare. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.