Palmer: Për SHBA-në asnjë krahasim mes Kosovës dhe Republikës Serbe

UASHINGTON, 9 shtator /ATSH/ – I dërguari special i sekretarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, deklaroi sot se ”për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka asnjë krahasim relevant mes Kosovës dhe Republikës Serbe për Shtetet e Bashkuara.

“Kosova është një shtet me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike. Sa për Republikën Serbe, korniza për të ardhmen politike u krijua nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit dhe kjo është e ardhmja e Bosnje-Hercegovinës, e cila është e pavarur dhe ka integritetin e saj territorial”, tha Palmer, sipas Kosovapress, që citon gazetën boshnjake ”Dnevni Avaz”.

Duke folur për marrëveshjen midis Beogradit dhe Prishtinës në Uashington, Palmer vuri në dukje se ”marrëveshja e arritur ka për qëllim mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike”.

“Ne do të dëshironim shumë të shihnim një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila do të hapte rrugën drejt BE-së. Normalizimi ekonomik duhet gjithashtu të mundësojë normalizimin politik të marrëdhënieve”, theksoi ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.