Mbarëvajtja e procesit mësimor në Gjirokastër/ Guga vlerëson bashkëpunimin mes institucioneve

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Në kuadër të fillimit të vitit të ri shkollor 2020-2021, prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj zhvilloi ditën e sotme një takim me pjesëmarrjen e zv.ministres së Ministrisë të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Nina Guga.

Të pranishëm ishin edhe drejtuesit e ZVA-të qarkut Gjirokastër si dhe drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi masat e ndërmarra për mbarëvajtjen e procesit mësimor në institucionet arsimore parauniversitare të qarkut Gjirokastër për vitin e ri shkollor 2020-2021 në kushtet e pandemisë COVID-19.

Në fjalën e tij, Prefekti i qarkut bëri një prezantim të shkurtër të ecurisë së vitit të kaluar shkollor 2019-2020 si dhe paraqiti masat e marra nga ZVA-të dhe bashkitë e qarkut në funksion të zhvillimit të rregullt të procesit mësimor.

Ndër të tjera, Aliaj shprehu se takime të tilla me prezencë të ministrive apo përfaqësuesve të Ministrisë respektive duhet të jenë të shpeshta me qëllim të adresimit të problematikave që hasin institucionet e varësisë gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

Zv.ministrja Nina Guga falënderoi Prefektin e qarkut Gjirokastër për punën e vazhdueshme në monitorimin e zbatimit të politikave sektoriale në fushën e arsimit dhe ndjekjen e gatishmërisë së institucioneve arsimore për fillimin e vitit të ri shkollor, si dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë midis institucionit të tij me ZVA-të e qarkut dhe me institucione shtetërore në nivel vendor.

“Pavarësisht se ndodhemi në kushtet e pandemisë, mbështetja e të gjithë aktorëve të përfshirë do mund t’ia arrijmë lehtësisht përballimin e kësaj situate”, – tha Guga.

Në përfundim të takimit, Aliaj theksoi rekomandimet përkatëse si dhe kërkoi angazhimin maksimal nga të gjitha institucionet përkatëse për zbatimin rigoroz të të gjitha masave të përcaktuara në udhëzuesin e MSHMS me qëllim që procesi mësimor gjatë kësaj periudhe të zhvillohet sipas të gjitha protokolleve të kushteve higjieno-sanitare, duke ruajtur distancimin fizik dhe mbrojtur shëndetin e gjithsecilit./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.