LONDËR – Guterres: Pa bashkim përballë ndryshimeve klimatike jemi të humbur

LONDËR, 9 shtator /ATSH-AFP/ – Shtetet duhet të bashkohen për të luftuar kundër ngrohjes klimatike ose bota jonë do të jetë e humbur, paralajmëroi kreu i OKB-së, Antonio Guterres.

“Unë besoj se dështimi për të ndaluar përhapjen e virusit, sepse nuk ka pasur mjaftueshëm koordinim ndërkombëtar (…) duhet t’i bëjë vendet të kuptojnë se ata duhet të ndryshojnë kursin”, theksoi ai para hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Shtetet duhet të veprojnë së bashku përballë kërcënimit të klimës, shumë më serioz se pandemia në vetvete, pasi është një kërcënim ekzistencial për planetin dhe vetë jetën tonë”, nënvizoi ai.

“Ose jemi të bashkuar ose jemi të humbur”, theksoi ai duke bërë thirrje veçanërisht për miratimin e masave të vërteta transformuese në fushat e energjisë, transportit, bujqësisë, dhe industrisë.

Për shkak të pandemisë Covid-19, takimet e rëndësishme ndërkombëtare për klimën, të planifikuara për vitin 2020, duhej të shtyheshin, duke rritur frikën e vonesave të mëtejshme në luftën kundër ndryshimit të klimës./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.