Heqja e licencës së shoqërisë në fushën e furnizimit me gaz natyror/ Kriteret e përzgjedhjes së administratorit të përkohshëm

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot procedurën dhe kriteret për emërimin e administratorit të përkohshëm për administrimin e shoqërisë që vepron në fushën e furnizimit me gaz natyror, ndaj së cilës është vendosur detyrimi i shërbimit publik, të cilës i është hequr licenca.

Sipas vendimit, administratori i përkohshëm kryen detyrën e administrimit të shoqërisë së interesuar të gazit natyror, së cilës i është hequr licenca dhe është përgjegjës për të siguruar një aktivitet normal, përfshirë edhe operimin e aseteve të shoqërisë.

Paga e administratorit dhe shpenzimet për ushtrimin e funksioneve të tij përcaktohen nga ERE dhe përballohen nga shoqëria e interesuar, e cila është vendosur nën administrim të përkohshëm.

“Enti Rregullatori i Energjisë (ERE) vendos masën e emërimit të një administratori të përkohshëm të shoqërisë dhe përcakton detyrimet e kësaj shoqërie derisa licenca t’i rijepet shoqërisë së interesuar ose t’i jepet një personi tjetër juridik, por kjo periudhë nuk mund të zgjasë më shumë se 12 (dymbëdhjetë) muaj nga data e heqjes së licencës. Emërimi i një administratori të përkohshëm bëhet në mënyrë që pajisjet dhe asetet në pronësi të shoqërisë së interesuar të mund të vazhdojnë të funksionojnë në sigurimin e shërbimit të gazit natyror për klientët. Procedura e emërimit të administratorit realizohet sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në këtë vendim”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Procedura e përzgjedhjes së administratorit të përkohshëm zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë, ERE përgatit një listë zgjedhjeje të kandidatëve aplikantë, të cilët përzgjidhen mbi bazën e aplikimit të bërë, pas përmbushjes së kërkesave të përgjithshme dhe të veçanta.

Në fazën e dytë, kandidatët e përfshirë në listën e zgjedhjes i nënshtrohen intervistës me gojë, ku ndërmjet të tjerave, prezantojnë edhe platformat e tyre për sa i përket administrimit efektiv të shoqërisë së interesuar, së cilës i është vendosur detyrimi i shërbimit publik për furnizim me gaz natyror.

Ministri përgjegjës për energjinë, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga marrja e njoftimit nga ERE, ka të drejtën të përzgjedhë nga lista e kandidaturave fituese njërën prej tyre dhe ta përcjellë si propozim në ERE për të marrë vendim për emërimin e tij në detyrën e administratorit të përkohshëm të shoqërisë, së cilës i është hequr licenca.

Vendimi i ERE-s regjistrohet në regjistrin e Qendrës Kombëtare të Biznesit. Në vendimin e ERE-s për emërimin e administratorit të përkohshëm përcaktohen arsyet për të cilat merret vendimi si dhe detyrat kryesore të administratorit të përkohshëm./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.