Gjobat e padrejta për tatimfitimin u anuluan/ Shalsi në sipërmarrjen që punëson mbi 70 punonjës

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Eduard Shalsi u shpreh sot se “gjobat e padrejta të vendosura ndaj biznesit në situatën e pandemisë janë anuluar”.

Shalsi theksoi se “në muajin korrik u ndeshëm me një lloj ankese nga shumë sipërmarrës që ishin gjobitur, pasi kishin paguar me disa ditë vonesë këstin e tatimfitimit për tremujorin e parë”.

Ministri theksoi se “kjo na u duk e padrejtë për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia dhe ndaj kontaktuam menjëherë me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë e me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të cilat morën në konsideratë ankesën dhe duke qenë se edhe ligji parashikonte përjashtime në situata të tilla, u bë i mundur anulimi i tyre”.

“Problemi i gjobave më solli në kontakt me një kompani të rëndësishme në tregun shqiptar, e mirorganizuar dhe cilësore e cila ofron mbi 800 produkte të markave botërore, lëndë të para për furra buke e pastiçeri, si dhe produkte paketimi. Ishte një surprizë e këndshme të takoja ish-mësuesen time të gjimnazit, Zanën, e cila së bashku me Ergysin më bënë një prezantim të biznesit dhe mjediseve ku zhvillonin aktivitetin e ishin të punësuar mbi 70 punonjës, trajnimit të së cilëve u kushtohej një rëndësi e veçantë, ashtu si dhe testimit të produkteve dhe shkruarjes së recetave të gatimit në kuzhinën e tyre të dedikuar”, tha ai.

Shalsi theksoi se “nuk mund ta kuptosh sipërmarrjen, e për pasojë nuk do të mund t’i zgjidhësh problematikat nëse nuk je në komunikim të vazhdueshëm me të”.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.