FOKUS – Shqipëria e rëndësishme për BE-në edhe për mineralet

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ – Europa është zgjuar me vonesë për problemin që ka me mineralet, shkruan Andy Home për Reuters.

“Europa ka arritur në një pikë kritike”, sipas shoqatës europiane të metaleve Eurometaux.

“Pesë vitet e ardhshme do të jenë vendimtare nëse do të kemi sukses në rikuperimin dhe shtimin e hallkave të zinxhirit prodhues… apo nëse vende të tjera të botës do të nxisin garën e burimeve globale”, thotë kjo shoqatë.

Komisioni Europian pajtohet me këtë, i bindur se revolucioni i tij i madh industrial i gjelbër do të ketë nevojë për më shumë minerale, që rajoni aktualisht nuk i ka. Aktualisht ka një një listë të përditësuar të mineraleve të rëndësishme si edhe një plan të madh të Komisionit për të bërë diçka në lidhje me varësinë nga importi që është ekspozuar në sektorë të shumtë për shkak të COVID-19.

Bashkimi Europian po ndjek tani të njëjtën rrugë si Japonia dhe SHBA në krijimin e hallkave të tij të zinxhirit për furnizimin me këto minerale. Kjo është një tjetër shenjë të tregon se metalet industriale po shfaqen si një linjë kryesore në një rend ekonomik global të lëvizshëm.

MINERALE TË RËNDËSISHME

Lista e mineraleve të rëndësishme të BE-së është shumë e ngjashme me atë të SHBA, që përfshin disa nga elementët më pak të njohur të tabelës së mineraleve si berilium, hafnium dhe skandium. Boksiti (alumini), titani, litiumi dhe stronciumi janë shtuar në përditësimin më të fundit paraprak, ndërsa heliumi është lënë mënjanë për shkak të një rënieje të performancës së tij ekonomike. Nikeli nuk përfshihet por do të monitorohet nga afër. Vlen të përmendet se alumini dhe titani tashmë i janë nënshtruar hetimeve të sigurisë kombëtare “Seksioni 232” në SHBA duke rezultuar në tarifa dhe negociata të mëtejshme përkatësisht me vendet furnizuese.

Alumini është një shembull i problemit me lëndët e para të Europës nëse ajo kërkon të arrijë objektivat e emetimit të karbonit sipas Marrëveshjes së Parisit. Metali u identifikua nga Banka Botërore si përfituesi më i madh i një drejtimi drejt energjisë së rinovueshme. Megjithatë, kapaciteti primar i prodhimit të aluminit në EUropë ka rënë me rreth 1/3 që nga viti 2008. Strontiumi është përfshirë sepse i gjithë rajoni mbështetet në një kompani të vetme europiane për furnizimin me një mineral që përdoret në magnetet qeramike dhe robotikë. Litiumi mund të duket si një shtesë e vonuar në listë, duke pasur parasysh rolin e tij qendror te bateritë për automjetet elektrike, një nga shtyllat e strategjisë së reduktimit të karbonit “Green Deal” të Europës. Ky mineral është tashmë një fokus thelbësor për “Aleancën Europiane të Baterive”, një iniciativë private dhe publike e BE-së që po zhvillohet që nga viti 2017. Një “Aleancë Europiane e Lëndëve të para” do të krijohet tani në linja të ngjashme.

SFERAT E NDIKIMIT

Strategjia e mineraleve të Europës kryesisht është e njëjtë me atë të përtej Atlantikut, domethënë gjetja, miniera, rafinimi dhe riciklimi. Ndërtimi nga e para i një zinxhiri të tërë furnizimi është një biznes i ndërlikuar. Komisioni, për shembull, vlerëson se iniciativa e tij për materialet e baterive do të çojë në faktin që 80% e kërkesës së litiumit në Europë të furnizohet nga burimet europiane dhe kjo deri në vitin 2025.

Synimi duket shumë ambicioz duke pasur parasysh se gjetja dhe nxjerrja e litiumit janë një proces i lehtë. Rafinimi i tij në formë kimike dhe më pas bërja e baterive të jon-litiumit është pjesa e vështirë dhe ekspertiza teknike aktualisht është në Azi, veçanërisht në Kinë.

Shumë qartë, aleancat e përpunimit të mineraleve dhe metaleve do të nevojiten me furnizues si Kanadaja dhe Australia. BE propozon gjithashtu të prekë fqinjët gjeografikë Norvegjinë dhe Ukrainën.

”Por, është shumë rëndësishme të integrosh Ballkanin Perëndimor në zinxhirët e furnizimit të BE-së”, tha Komisioni duke theksuar se Serbia ka borate, ndërsa Shqipëria ka depozita platini.

Përveç kësaj, partneritetet strategjike janë veçanërisht të rëndësishme me vendet në zhvillim të pasur me burime dhe rajone të tilla si Afrika, ku Bashkimi Evropian mund të investojë për të marrë mineralet që i duhen. Një revolucion i gjelbër ka nevojë për metale të gjelbra, të cilat paraqesin probleme të veçanta të zinxhirit të furnizimit për një metal si kobalti, një mineral i rëndësishëm kritik, por ”i ndotur” nga abuzimet e minierave artizanale në Kongo. Mbetet të shihet se ku do të shkojnë fondet europiane të investimeve, por rajoni tani ka nënshkruar lojën e madhe globale të shekullit XXI të zgjerimit të sferave minerare të ndikimit.

MADE IN CHINA

Duke pasur parasysh dominimin e Kinës në përpunimin e metaleve të tilla si alumini, litiumi dhe elementët e rrallë të tokës, dëshira e Perëndimit për të zvogëluar cënueshmërinë e zinxhirit të furnizimit nënkupton zhvendosjen e zinxhirëve të furnizimit larg vendit.

Kjo nënkupton gjithashtu mbrojtjen e sektorëve të brendshëm industrialë nga prodhuesit kinezë që veprojnë në universin paralel të mbështetjes nga shteti. Veçanërisht gjatë periudhave të krizës.

Europa humbi kapacitetin e përhershëm të prodhimit të metaleve ndaj Kinës në krizën financiare globale të vitit 2009, pasi kjo e fundit u rikuperua më shpejt. Modeli duket se do të përsëritet gjatë krizës aktuale COVID-19. Më të goditurat do të jenë kompanitë më të vogla për sektorë të tillë si riciklimi i metaleve, një tjetër shtyllë thelbësore e politikës së gjelbër industriale të BE-së.

”BE duhet të jetë më e guximshme dhe më pak naive në skenën globale”, sipas Eurometaux.

Shoqata e metaleve bën thirrje për të mbrojtur prodhimin europian nga konkurrenca e pandershme dhe efekti shtrembërues i subvencioneve dhe kapaciteteve të tepërta strukturore në tregun global të metaleve.

Çështjet e klimës duhet të merren në konsideratë në mënyrë të qartë në vlerësimin e masave antidumping.

Europa këtë vit tashmë ka hapur hetime antidumping në importet kineze të aluminit. Metalet kanë qenë në ballë të luftërave tarifore të presidentit Trump dhe strategjia e re për mineralet në Europë është konfirmimi se ato do të luajnë rol të rëndësishëm në deglobalizimin e ardhshëm./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.