BRITANI E MADHE – Personeli mbretëror proteston kundër shkurtimit të vendeve të punës

LONDËR, 9 shtator /ATSH-DPA/- Personeli mbretëror zhvilloi sot një protestë të rrallë kundër shkurtimeve të planifikuara të vendeve të punës, jashtë një prej vendbanimeve kryesore të Mbretëreshës Elizabeth II, kështjellës Windsor, njoftoi Sindikata e tyre e Shërbimit Publik dhe Tregtar (PCS).

“Personeli mbretëror protestoi sot në heshtje kundër shkurtimit të pensioneve dhe vendeve të punës”, shkroi në Twitter PCS.

“Personeli është përballur tashmë me 200 shkarkime të detyrueshme dhe shkurtime të kontributeve të tyre të pensionit”, vazhdoi sindikata.

Sipas saj, 92 persona kanë pranuar shkarkim vullnetar dhe 200 të tjerë po përballen me perspektivën e shkarkimit të detyrueshëm nga puna me kushte shumë më të këqija.

PCS po kërkon që familja mbretërore të ndërhyjë për të parandaluar çdo shkarkim të mëtejshëm dhe të rikthejë pensionet e këtyre punonjësve të vijës së parë, që janë imazhi publik i këtij atraksioni turistik historik./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.