Shkolla “Hasan Koçi” në Durrës, një tjetër shkollë që po rilind pas tërmetit/ Projektuar për të shërbyer edhe si qendër komunitare


TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, në kantierin e shkollës 9-vjeçare “Hasan Koçi”, një tjetër shkollë që po rilind pas tërmetit të 26 nëntorit.

Kryeministri theksoi se “kjo shkollë është projektuar për të shërbyer edhe si qendër komunitare, ashtu si 32 shkollat që do të rilindin në qytetin e Durrësit”.

Ai vlerësoi se shkolla 9-vjeçare “Hasan Koçi” do të ketë kushtet dhe standardet më të mira.

“Kjo shkollë do të ketë 4500 m2 ndërtim, me 18 klasa, 8 laboratorë, ambiente të gjelbëruara dhe terrene sportive, sipas kushteve e standardeve më të mira, projektuar për të shërbyer edhe si qendër komunitare, ashtu si 32 shkollat që do të rilindin në qytetin e Durrësit”, tha ai.

Kryeministri vlerësoi ecurinë e punimeve në këtë shkollë ku sipas tij, “jemi më përpara se sa ishim me 2-3 shkollat e tjera”. “Ato ishin akoma pa muraturat, jeni mirë. Faktikisht keni avancuar shumë”, tha Rama, ndërsa shtoi se ka një dallim të madh me situatën e shkollës ekzistuese.

Afati i përfundimit të punimeve në këtë shkollë është data 26 nëntor 2020. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.