Ritëm marramendës për Rindërtimin/ Shkolla “Neim Babameto” në Durrës me projekt të arkitektit italian po rilind më e madhe dhe më e bukur

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, në kantierin e shkollës “Neim Babameto” që sot po rilind më e madhe, më e bukur e me plot risi për nxënësit e për trupën pedagogjike, falë projektit mbresëlënës të arkitektit të famshëm italian, Mario Cuccinella, e cila në këtë nëntor 2020, do të jetë gati për të pritur 1060 nxënës.

Kryeministri theksoi se është me rëndësi të kuptohet se me procedurat dhe me ritmin tonë në rindërtimin e shkollave, ne jemi tani duke shkuar drejt përfundimit.

Ndërkohë që, ai theksoi se procedurat janë të tjera dhe me ritmin e BE-së akoma jemi në vigjilje të nisjes së punës.

Rama theksoi se “faktikisht ne jemi 6 muaj përpara, që do të thotë se jemi punuar me një ritëm marramendës dhe po bëjmë maksimumin e mundshëm edhe pse i kuptoj edhe njerëzit që çdo ditë i duket një vit, se duan të kthehen në shtëpi”.

Ministri i Shtetit për Rindërtimit, Arben Ahmetaj u shpreh se “në këtë shkollë mësojnë 1064 nxënës dhe kjo do jetë një nga shkollat me standarde më të larta jo thjesht europiane, por praktikisht do të jetë shembull”.

“Në fund të shtatorit kemi gjithë partinë e parë të shkollave që janë 22 objekte arsimore, do bëhemi gati për partinë e dytë”, tha Ahmetaj. /j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.