“Kur qeverisim ne, qytetet ndërtohen”/ Spiropali: 12 shkolla me standarde dhe 300 apartamente rindërtohen nga e para në Kavajë

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali deklaroi sot se “12 shkolla me standardet më të mira dhe kushte moderne do të rindërtohen nga e para në Kavajë”.

“Me ritëm vazhdojnë investimet madhore, si dhe çdo zotim i përkthyer në punë, duke e kthyer Kavajën në një mega kantier ndërtimi”, tha Spiropali.

Ajo theksoi se “vijon pa ndalur puna edhe për ndërtimin e zonës e re zhvillimore, ku pjesë e saj janë 7 pallate me plot 300 apartamente banimi si dhe 100 njësi shërbimi për familjet që humbën strehën nga tërmeti”.

“Investimet janë të prekshme, vëmendja e shtuar e qeverisë dhe puna e Bashkisë do të jetë vijuese, sinkron me kërkesat e qytetarëve dhe gjithë detyrimeve që kemi ndaj tyre. Diferenca është e madhe: Kur qeverisim ne, qytetet ndërtohen, kur qeverisin ata, qytetet pushtohen”, tha Ministrja. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.