KPA lë në fuqi vendimin e KPK/ Shkarkohet nga detyra prokurori i Fierit, Fatmir Lushi

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, Fatmir Lushi.

Pas vendimit të KPK seancës, Lushi ankimoi vendimin në KPA për rivlerësimin e vendimit. Mirëpo, edhe Kolegji i Posaçëm i Apelit vendosi që të lërë në fuqi vendimin e KPA, të marrë më datë 26 mars të 2019-s.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ardian Hajdari relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Fatmir Lushi, kundër vendimit  të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 125, datë 26.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Fatmir Lushi. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm:, thuhet në njoftimin e KPA.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.