Komisioneri Várhelyi: Konferencat ndërqeveritare me Shqipërinë dhe MV brenda këtij viti

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Komisioneri Europian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Várhelyi nxit autoritetet gjermane që të përpiqen që konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në kuadër të çeljes së negociatave të zhvillohen brenda Presidencës Gjermane të Bashkimit Europian.

Duke folur dje në forumin për për Ballkanin Perëndimor “E Ardhmja e Zgjerimit nga një Këndvështrim Europian” në Berlin, komisioneri Europian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Várhelyi theksoi se “zotimi im, meqë ndodhem këtu në Berlin dhe sot pres të takohem me përfaqësues të ndryshëm të qeverisë gjermane, është që të bëj një hap të guximshëm dhe ndërkohë presidenca gjermane e Bashkimit Europian duhet të jetë në gjendje të mbajë konferencat e para ndërqeveritare me këto vende”.

“Kjo është e mundur, ne shohim që kushtet janë aty, por thjesht duhet të përshpejtojmë punën dhe të mbërrijmë në këtë moment. Pra le të përpiqemi dhe t’i zhvillojmë konferencat e para ndërqeveritare në dhjetor, brenda presidencës gjermane”, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, komisioneri Várhelyi parashtroi edhe kornizën e zhvillimeve të deritanishme.

“Në mars, liderët e BE-së aprovuan vendimin tonë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe në muajin maj, pavarësisht pandemisë, ne zhvilluam përmes një videokonference samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke konfirmuar zgjedhjen politike që liderët e këtyre vendeve kanë bërë dhe i qëndrojnë fort”, u shpreh ai.

“Ne u kemi bërë të qartë partnerëve tanë që sapo kushtet të përmbushen, ne do të bëjmë pjesën tonë. Kjo gjithashtu nënkupton që ne duhet të bëjmë të qartë se çfarë pritet, t’i bëjmë kriteret të prekshëm dhe të dukshëm, të matshëm më shumë se kurrë më parë. Kjo është ajo për të cilën po punojmë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, theksoi komisioneri Várhelyi.

“Paralelisht, si shtyllë e dytë, më në fund u mor vendimi për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo s’do të mund të ishte bërë pa metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, që në fakt ishte propozimi na ndihmoi të siguronim aprovimin për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit”, parashtroi Várhelyi.

Në vijim, tha ai, ne kemi propozuar tashmë kornizat e negociatave me të dy vendet dhe tani Këshilli po i diskuton, përfshi edhe kohën kur dhe si do të mbahen konferencat e para ndërqeveritare me të dy vendet. /j.p//u.sh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.