Garancia sovrane/ 303 biznese kanë aplikuar për një shumë prej 11 miliardë e 778 milionë lekësh

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Për nevojat e sipërmarrjes në procesin e rimëkëmbjes pas goditjes prej pandemisë së COVID-19, Qeveria shqiptare së bashku me bankat e nivelit të dytë, po zbatojnë 2 instrumente të garancisë sovrane për një shumë totale prej 26 miliardë lekësh.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi të dhënat mbi ecurinë e instrumentit të II të garancisë sovrane.

Sipas statistikave, deri më 3 shtator bizneset kanë aplikuar për një fond rreth 11 miliardë e 778 milionë lekësh dhe janë aprovuar rreth 55% e aplikimeve nga bizneset.

Referuar të dhënave kanë aplikuar 303 biznese, ndërsa është miratuar kërkesa për 107 prej tyre me një vlerë prej 6 miliardë 280 milionë lekësh.

Instrumenti I i garancisë sovrane në masën 11 miliardë lekë aplikohet nga bizneset në çdo bankë të nivelit të dytë dhe garantohet 100% nga shteti.

Përmes këtij instrumenti paguhen pagat e tre muajve të punonjësve te kompanive të prekura nga situata e Covid-19 dhe interesi subvencionohet nga qeveria. Po ashtu është parashikuar një periudhë pa shlyerje të principalit (grace period) prej 3 muajsh.

Ndërsa instrumenti II i garancisë sovrane në masën 15 miliardë lekë aplikohet për bizneset në të gjithë sektorët e ekonomisë për nevoja në kapital qarkullues dhe investime.

Ky është një instrument që ndan riskun me bankat, duke mbuluar një përqindje të principalit të çdo huaje. Ky instrument ka një afat shlyerje deri në 5 vjet dhe periudhë pa shlyerje të principalit (grace period) prej 6 muajsh.
/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.