Dokumentet/ Nik Prendi nga Kombinati ka marrë bonusin e qirasë, deklaratat e PD-së shpifje

TIRANË, 8 shtator /ATSH – I. Vata/ Deputetja e PS-së Blerina Gjylameti e ka konsideruar shpifje deklaratën e PD-së se qytetari Nik Prendi në Njësinë Nr. 6 në Kombinat nuk ka marrë ndihmën dhe bonusin e qirasë për banesën e shembur nga tërmeti.

Duke faktuar me dokumente, Gjylameti shprehet se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra.

“Paraditen e sotme PD ka dalë me një deklaratë manipuluese e të ngritur mbi shpifje për mediet. Siç i shikoni në dokumentet e mëposhtëm krejtësisht transparent mbi një çështje kryesore siç është Rindërtimi, qytetari Nik Prendi pronar i një banese private i cilësuar me dëmtimin DS4 ka marrë çdo ndihmë ligjore nga Njësia Administrative Nr. 6, por edhe ndihma ushqimore, logjistike dhe është trajtuar me bonusin e qirasë për t’i krijuar mundësinë e strehimit të përkohshëm deri në momentin e rindërtimit të shtëpisë”, tha ajo.

Në vijim, Gjylameti shton se “shpifja është e ulët kur Partia Demokratike përdor hallet e qytetarëve për të ndërtuar lajme të rreme. Nik Prendi, banor i Njësisë 6 jo vetëm që ka përfituar të gjitha shërbimet, por me vëmendje të veçantë si për çdo banor të Njësisë 6 ka kaluar në disa faza ekspertimi deri në realizimin e preventivit mbi dëmet e tërmetit”.

“Njësia 6 ishte zona më e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe pavarësisht çdo vështirësie të gjitha institucionet, por edhe në kujdesin tim personal, kanë qenë në përgjigje të çdo banori. Projekti Kombinart (tri lagjet) do të vendosë përfundimisht vulën e së vërtetës, që ne bëjmë çfarë themi dhe themi çfarë bëjmë, duke vazhduar punët dhe injoruar shpifjet”, tha ajo.

Më herët, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ishte në familjen e Nikë Prendit, të cilit shtëpia i është shkatërruar plotësisht që në tërmetin e parë, në 21 shtator dhe sipas saj nuk ka marrë ndihmë.

“Nikë Prendi thotë se i ka humbur shpresat tek shteti pasi ka 1 vit që endet dyerve të bashkisë por askush nuk i ka ardhur në ndihmë”, ka thënë Zhupa. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.