Bushati: PS partia më e madhe në Shqipëri, Rama kryeministër në mandatin e tretë

TIRANË, 8 shtator /ATSH – I. Vata/ “Partia Socialiste është partia më e madhe në Shqipëri dhe do qeverisë në mandatin e tretë”, tha sot deputeti i PS-së Ervin Bushati në një intervistë televizive.

Në lidhje me datën e zgjedhjeve, Bushati tha se çdo datë është e njëjtë, mjafton të jetë brenda Kushtetutës dhe ligjit. “Unë mendoj se kjo datë është shumë më mirë për shqiptarët sepse nuk është në sezonin e turizmit dhe qytetarët e kanë më të thjeshtë të marrin pjesë edhe për shkak të motit”, tha Bushati.

Në lidhje me riformulimin e koalicioneve, Bushati tha se “PS ka qenë gjithmonë forca më e madhe politike. Mos të harrojmë se në vitin 2017 PS hyri në parlament me 40% më shumë deputetë”.

“PS është partia më e madhe në Shqipëri, ka qenë dhe do të jetë. Me rregull treshi ajo parti që ka numrin më të madh të votave nesër do të vendosë se kush do jetë kandidati për kryeministër dhe ne e kemi të vendosur dhe kemi Edi Ramën. Ne jemi një ekip i konsoliduar në Shqipëri dhe do të fitojmë maksimumin e mundshëm. Shqiptarët kanë mundësi të zgjedhin me lista të hapura se kush është më i miri, ne ua dhamë këtë mundësi shqiptarëve me ndryshimet kushtetuese”, tha Bushati. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.